1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë se 5100 numri i viktimave nga tërmeti në Indonezi

29 Maj 2006

Operacioni i ndihmës po fillon të bëhet i plotë me aeroplanë që sjellin ushqime, medikamente mjekësore, çadra dhe mushama. Ekipe të ndihmës nga mbarë Indonezia tani ndodhen në zonën e goditur nga tërmeti, rreth qytetit Jogyakarta.

Tërmeti në Java të Indonezisë
Tërmeti në Java të IndonezisëFotografi: AP

Dy ditë pas tërmetit në ishullin Java ka mbërritur avioni i parë me ndihma nga Kombet e Bashkuara si dhe nga organizatat e tjera. Pas tërmetit, ushtria punoi për riparimin e aparaturave në aeroportin e provincës Yogyakarta, për të bërë të mundur aterimin e avionëve. Në këtë qytet dhe në qytetin tjetër të rrënuar Bantul, të mbijetuarit presin ndihma me çadra, ushqime, ujë të pijshëm dhe medikamente. Dhjetëra mijëra vetë kanë qëndruar jashtë në qiell të hapur nga frika për tërmete të tjera.

Sipas vlerësimeve të UNICEF-it, numri i personave që humbën jetën arriti mbi 5 100, por të dhënat mund të rriten, pasi mendohet se ende ka njerëz nën gërmadha. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit nga tërmeti. Zëdhënësi i UNICEF-it, John Budd tha se rreth 20 mijë janë të lënduar ndërsa mbi 100 mijë janë pa strehë.

Autoritetet mjekësore në Yogyakarta thonë se ka nevojë urgjente për ndihma mjekësore. Gjermania vendosi si ndihmë eurgjente dërgimin në vlerë prej 1,5 milionë euro, për ujë të pijshëm dhe medikamente. Banorët ndërkohë po varrosin pa humbur kohë të afërmit e tyre në varret e fshatrave.