1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë se kurrë kemi nevojë për veprën e Nënë Terezës

26 Gusht 2020

Në Shkup përkujtohet 110-vjetori i lindjes së humanistes shqiptare me famë botërore Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza.

AP Iconic Images Mutter Theresa 1978
Fotografi: AP

Me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës u përurua gjatë një manifestimi solemn pllaka përkujtimore e restauruar në vendin e shtëpisë së lindjes të saj në qendër të Shkupit. Nënë Tereza është simbol i humanizmit të pafund, të dashurisë ndaj njeriut, kujdesit dhe dhembshurisë ndaj të sëmurëve dhe të varfërve dhe të atyre jo aq me fat në jetë, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Fotografi: DW/F. Musliu

Kur bota po përballet me pandeminë e Covid-19, kur shohim rrezik për shëndetin e të gjithë njerëzimit, goditje të madhe mbi themelet e çdo sistemi shëndetësor dhe ekonomik, të gjithë në mënyrë të barabartë kemi nevojë për mbështetje të ndërsjellë dhe kemi më së shumti nevojë për veprën e nobelistes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza.

"Jetojmë në një kohë me sfida të reja dhe të panjohura, megjithatë a nuk i ka çdo etapë e zhvillimit shoqëror vështirësitë e veta karakteristike. Ajo që mbetet e njëjtë para çdo vështirësie është dora e zgjatur e njeriut, solidariteti dhe sakrifica e komoditetit dhe relaksimi. Ne duhet të kontribuojmë për të fituar mbi këtë të keqe që e ka kapluar botën”, është shprehur Xhaferi.

E madhja Nënë Tereza ka thënë "Shkoni në shtëpi dhe duajeni familjen tuaj”, sepse çdo gjë fillohet nga familja”, ka thënë Xhaferi.

Fotografi: DW/F. Musliu

Drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, Skënder Asani, tha se pllaka përkujtimore po shpaloset pikërisht në vendin ku Gonxhe Bojaxhiu ka lindur dhe ku ajo është pagëzuar, në zemrën e Shkupit, pranë kishës "Zemra e Krishtit”.

“Kjo pllakë dhe mensa që synojmë ta ngremë për të varfrit, sipas shembullit të kujdesit të saj, janë përkujtimi më modest, pa pompozitet e prepotencë, për humanisten më të madhe që ka njohur historia”, ka deklaruar Skënder Hasani.

Vepra më e re për sagën e familjeve katolike të Shkupit

Departamenti për Nënën Terezë pranë Institutit për trashëgimi kulturore ka promovuar edhe librin me titullin simbolik "Nga Gonxhe Bojaxhiu te Nëna Terezë”, nga autorët Albert Rama, pasardhësi i Don Zef Rama, pagëzuesi i Gonxhe Bojaxhiut dhe Nora Maliqi Zylalit. Ky libër në vokacionin e tij shkencor ka në themel dimensionin e iluminizmit femëror, ku përveçse përvijohet jeta e Gonxhes nga Shkupi deri tek Nënë Tereza nga Kalkuta, është edhe një sagë për familjet katolike të Shkupit.

Fotografi: DW/F. Musliu

Drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Skender Asani ka thënë se së shpejti do t'i drejtohen me një propozim dhe elaborat Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ta shpallë thesar kombëtar.

Me rastin e përvjetorit të 110-të të lindjes së humanistes shqiptare me famë botërore Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza, Universiteti "Nënë Tereza” në Shkup  ka shpall konkurs për punimin e një busti të figurës unifikuese të Nënës Terezë.

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut