1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësimi bilingual në Maqedoni

5 Nëntor 2011

Në sistemin fillor arsimor në Maqedoni është duke u realizuar projekti i arsimit të integruar, që nënkupton të mësuarit në gjuhën e bashkësisë tjetër etnike. Aplikimi i tij u realizua vetëm në pesë shkolla.

Shkolla fillore "Blaze Koneski" në Veles
Shkolla fillore "Blaze Koneski" në VelesFotografi: DW

Implementimi i strategjisë për arsim të integruar po realizohet vetëm në disa paralele të shkollave fillore në Maqedoni. Ideja, që fëmijët në moshë të re të njihen me gjuhën e bashkësisë tjetër po has në probleme të natyrave të ndryshme. Ideja fillimisht është refuzuar nga prindërit të cilët kanë vlerësuar se në klasë të parë fëmijët e kanë të vështirë të mësojnë njëkohësisht në dy gjuhë. Edhe mësimdhënësit kanë mbështetur prindërit, duke sugjeruar se mësimi i gjuhës së bashkësisë tjetër duhet të fillojë më vonë, gjegjësisht në klasën e katërt apo të pestë.

Vllado Dimovski nga Qendra për tolerancë ndëretnike thotë se në Maqedoni ekzistojnë ligje të mira për arsimin e integruar por gjatë realizimit të tij në praktikë çdo herë ka pengesa. “Punoj në shkollë ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedone,shqipe dhe turke. Tek mësimdhënësit nuk ekziston disponim për të punuar në projekte të arsimit të integruar. Idea dhe qëllimi është i mirë por projekti duhet të realizohet hap pas hapi e jo me imponim”, thotë Dimovski.

Paralel me implementimin e strategjisë për arsim të integruar në disa shkolla është duke u realizuar projekti i arsimit të integruar përmes lojës që mbështetet nga fondacioni “ Nansen dialog”. Në shkollën Rajko Zhinzifov, në komunën Çair, ku shumica e popullatës është shqiptare po realizohet me sukses mësimi i integruar në dy paralele, thotë drejtori i shkollës Kadri Agushi. “Njëherë në javë kanë program ku mësojnë së bashku, përmes lojës, aktiviteteve të ndryshme nga ekologjia, muzika, etnologjia, do të thotë njëherë në javë fëmijët mësojnë së bashku, komunikojnë, ata nuk flasin gjuhën e tjetrit po komunikojnë dhe dëgjohen njëri me tjetrin”, shprehet Kadri Agushi.

Prindërit kanë përkrahur idenë që përmes lojës të mësohet gjuha e bashkësisë tjetër, çdo gjë që është pa imponim më lehtë pranohet, thonë prindërit. “Përmes lojës e mësojnë gjuhën e njëri tjetrit, sa fëmija vet e pranon, faktikisht nuk është e imponuar që ta mësojë, por përmes lojës fëmiu vetvetiu pranon ndonjë fjalë të gjuhës tjetër”.

Ministria e Arsimit pajtohet me faktin se implementimi i strategjisë për arsim të integruar nuk ka qënë aq transparent andaj i njëjti është keqkuptuar dhe është vlerësuar si imponim. Çdo projekt që përmban premisa të arsimit të integruar pa imponim do të ketë përkrahjen e Ministrisë. “Me aktivitete të ndryshme sportive, kulturore, të artit, disa aktivitete ku të gjithë janë së bashku dhe këmbejnë mendime, bashkëmësojnë dhe sado kudo ata integrohen njëri me tjetrin- maqedonasit mësojnë gjuhën shqipe, shqiptarët mësojnë gjuhën maqedonase”, shprehet Safet Neziri, zëvendësministër i arsimit.

Strategjia për arsim të integruar në të ardhmen pritet të realizohet edhe në arsimin e mesëm.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama