1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi

12 Prill 2011

Në Shkollën Shqiptare të Athinës 5 mësuese çdo të dielë u mësojnë fëmijëve pa asnjë shpërblim gjuhën amtare.

Mësim në gjuhën shqipeFotografi: DW

Për hir të mbijetesës janë “pajtuar” me fatin e tyre që për mjedis pune të mos kenë një shkollë që gumëzhin nga zërat e fëmijve, por një kantier për burrat apo një shtëpi për gratë që punojnë si shtëpiake. Fjala për arsimtarët e emigracionit, që nuk e fshehin këtë “kompromis” të tyre aspak të lehtë kur i pyet si janë vitet në emigracion.

Arsimtarja Tatjana Çukari.Fotografi: DW

“Janë shumë të vështira. Cili është ai imigrant që nuk do të ndjehet i lodhur,” thotë Tatjana Çukari. Arsimtare në profesion, që e ushtroi në vendlindjen e saj në Sarandë, Tatjana që nuk ndjen turp, siç thotë, për punën e saj si shtëpiake në Greqi, preferon të flasë për të dielën, kur çdo mesditë të kësaj dite të javës merr rrugën për në Shkollën Shqiptare të Athinës. Në mjedisin e saj komod, që do ta kishin zili shumë shkolla dhe në Shqipëri, në katin e katërt të pallatit të rrrugës Feron 15, pranë sheshit Viktoria, e presin 20 nxënës të klasës së parë për tu mësuar shqipen. “Por kur vjen e diela, që do të vijmë në shkollë, do të mblidhemi bashkë me mësueset e tjera, që do të fillojmë të flasim shqip, do të ndjehemi bukur të gjithë, ndjen një çlodhje shpirtërore”.

Nga e majta mësueset Mimoza Hida, Tatjana Çukari, Ilira Ndrio në shkollë.Fotografi: DW

E diela e shkollës shqipe, pra, është dita që u heq lodhjen e punës së rëndomtë fizike të gjithë javës. “Unë me zi e pres të dielën. E them në kuptimin e plotë të fjalës. E filloj përgatitjen që të shtunën, si për vete, për librat, për djalin që mëson këtu...” thotë Ilira Ndrio (Bakalli) që mbërrin e treta në shoqërinë e kolegëve të saj dhe vetëm e bezdisur nuk ndjehet që nevojat e reportazhit e sollën për së dyti, veç të dielës, këtë javë në shkollë. Ashtu siç nuk ndjehet e dekurajuar që vetëm 7 nga 26 vitet e ciklit të punës së saj ishin si mësuese në Shqipëri “fillimisht nëpër klasa kolektive në fshat dhe më pas si mësuese në qytet”. “Megjithatë ato mbeten nëpër dosje. Nga viti 1992 jemi në Athinë. Kënaqësia më e madhe, që unë e ndjej veten krenare, është që u jap mësim këtyre nxënësve”.

Me fjalën “krenari” është i lidhur, siç rrëfen Ilira, dhe një nga momentet më mbresëlënëse të saj kur nxënësit me një etje për të pasuruar fjalorin e tyre kërkojnë të mësojnë fjalën adekuate në gjuhën amtare. “Fëmijët donin të dinin fjalën perifania. U thashë unë: krenaria. Si mund t'ua shpjegoj? Për shembull, unë mësuesja jam krenare për ju që vini në shkollë. Ose prindërit tuaj nesër do të jenë krenarë se do të dini dy gjuhë, do t'i dilni mbanë jetës. Ose me fjalë më të thjeshta: Unë jam krenare për atdheun tim. Të gjithë me një zë thanë se ky atdhe është Shqipëria. Kjo më bëri që të rrëqethem, të më dilnin lotë që sado përqiqesha t'i fshihja para nxënësve, nuk i fshihja dot”.

Satisfaksioni moral është i vetmi shpërblim për këto mësuese të emigracionit shqiptar, të qeta si Tatjana, impulsive si Ilira, por edhe optimiste si Mimoza Hida, me 13 nxënësit e saj të klasës së dytë nga mosha 9 deri 15 vjeç. “Pata një nxënës që nuk fliste fare shqip, dhe nuk kuptonte, në klasën e parë. Detyrohesha që të bëja mësimin në të dyja gjuhët, kur në klasë kisha 13 nxënës. Në fund të vitit kjo fëmijë, që kur erdhi në shkollë nuk dinte asnjë fjalë shqip, arriti të shkruajë dhe të lexojë shqip. Ky ishte shpërblimi edhe kënaqësia më e madhe që mora” thotë Mimoza dhe shton: “Një fëmijë që nuk mëson gjuhën e saj është emigrant në Greqi por do të jetë emigrant edhe në qoftë se kthehet në Shqipëri”.

Të 80 nxënësit e shkollës të ikin me shqipe të mësuar dhe të pasojnë të tjerë, ky është shqetësimi i përbashkët që i jep “trios” së mësuesve –në fakt janë pesë, bashkë me Ermira Morinën dhe Loreta Ibrahimin- një harmoni të veçantë tek shpalosin problematikën e mësimdhënies. “Nuk kemi një program unik dhe tekst të veçantë dhe përpiqemi që ta ndajmë punën sipas mënyrës sonë,” thotë Mimoza, e cila e sheh të vështirë dhe jo aq të efektshme përpjekjen e mësuesve që çdo fillim viti shkollor detyrohen të hartojnë programe personale. “Programi duhet të jetë tepër i veçantë, se duhet hartuar për fëmijë që mësojnë shqip vetëm dy orë në javë” shton Mimoza.

Këtë shqetësim e ka ndarë me kolegët e tjerë arsimtarë të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në diasporë të zhvilluar më 2007 në Durrës, më 2008 në Strugë, më 2009 në Selanik dhe 2010 në Korinth. Funksionarë të arsimit të lartë por edhe vetë drejtori i Institutit të Diasporës Flamur Gashi, i cili më 2009 ka kaluar dhe nga Athina, i ka siguruar arsimtarët se punohet intensivisht për kurrikulat e plan-programeve, “për librat midis të cilëve do të jetë abetarja, libri i leximit, gjeografi-historia e tj. për mësimin e gjuhës shqipe”. Por deri tani ka mbërritur vetëm abetarja e shkollës publike dhe jo ajo “specifike” për fëmijët e diasporës.

Biznesmeni Lorenc Koka, pronar i qendrës BestXpert Training & Technology, në bisedë me Deutsche Welle-n.Fotografi: DW

Në këto kushte shkolla si kjo e Athinës mbahen vetëm në saj të përkushtimit të mësuesve. Mësimi i shqipes nëpër shkollat greke si orë plotësuese dhe fakultative mund të ketë dështuar, por mësuesit insistojnë: “Për deri sa në Greqi jetojnë aq shumë shqiptarë, e mira do të ishte të ngrihej edhe një shkollë më vete shqip. Me të gjitha lëndët. Siç bëhet në Shqipëri. Edhe këtu në të dyja gjuhët. Siç është p.sh. shkolla polake” thotë Tatjana, që kur pyetet nëse puna e tyre ngjall paragjykime nacionaliste tek opinioni vendas përgjigjet: “Jo këto lloj paragjykime nuk i kemi ndjerë. Kur respekton veten dhe tjetri fillon të të respektojë,” thotë Tatjana. Raste negative ka, sigurisht, si ai i paditjes së një drejtoreshe greke, Steles Protonotariu, nga një koleg i saj, pse u vuri në dispozicion një sallë nxënësve shqiptarë për mësimin plotësues të gjuhës së tyre amtare. “Shoqëria jonë është përparimtare, pavarësisht rasteve të veçanta” do t'i thoshte DW presidenti i Federatës Së Mësuesve të Greqisë Dhimitris Bratis, me këtë rast.

Tek i dëgjon të flasin me aq pasion nuk do të besosh se këto mësuese nuk marrin asnjë shpërblim për punën e tyre. Por këtë “anomali”, që ato shpresojnë se një ditë do të zgjidhet, nuk ngurron ta theksojë “njeriu i tyre dhe i shkollës”, biznesmeni Lorenc Koka që e ktheu qendrën e tij BestXpert për mësimin e kompjuterit dhe në strehëz të Shkollës Shqiptare të Athinës dhe të ëndrrave të tyre. “Është viti i shtatë që ne po u mësojmë fëmijëve gjuhën shqipe, e cila bëhet në mënyrë krejt vullnetare, pa ndonjë shpërblim apo ndonjë ndihmë” thotë Lorenci, i cili kërkon që “të gjendet një mënyrë që këto mësuese të paguhen ashtu si kolegët e tyre në Shqipëri”. Të paktën të njihen vitet e punës për efekt pensioni si “minimumi i mundshëm që mund të bëjë shteti amë”.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama