1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maas: Aleancë për shpërndarjen e refugjatëve të Mesdheut

13 Korrik 2019

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas nuk do të presë më. Për shkak të bllokadës në politikën e refugjatëve, ai propozon iniciativë për shpërndarjen e refugjatëve që shpëtohen në Mesdhe me vendet që duan të ndihmojnë.

Heiko Maas
Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Ducret

„Ne duhet tani të ecim përpara me ato shtete, që janë të gatshme të pranojnë refugjatë - të gjithë të tjerët janë të ftuar të marrin pjesë", theksoi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Gjermania është e gatshme, „të japë një kontribut substancial dhe të garantojë që të pranojë gjithmonë një kontigjent të caktuar të të shpëtuarve". Maas kërkoi një „aleancë të vendeve të gatshme për ndihmë për një mekanizëm të detyrueshëm shpërndarjeje". Solloratja në det të hapur duhet t'i përkasë me këtë hap të shkuarës, sipas Maas.

Ujdia për shpëtimin në Mesdhe nuk duhet të dështojë më, për shkak të grindjeve për shpërndarjen e tyre. „Kësaj bllokade duhet t'i jepet fund", kërkoi Maas. As të shpëtuarit dhe as ata që shpëtojnë nuk mund të presin aq gjatë deri sa të jetë i gatshëm edhe vendi i fundit në BE, theksoi ministri i Jashtëm gjerman. Heiko Maas pret që partnerët europianë „të hedhin një hap vendimtar përpara lidhur me këtë temë".

Të enjten e javës së ardhshme ministrat e Punëve të Brendshme të BE dhe ata të Drejtësisë takohen për këtë çështje në Helsinki. Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer ka bërë të ditur, se do të angazhohet „për një zgjidhje humanitare dhe praktike për sfidat aktuale të migracionit përmes Detit Mesdhe".

Fotografi: picture-alliance/dpa/Sea-Eye/F. Heinz

Grindje e pafund

Shpëtimi i refugjatëve në Mesdhe dhe shpërndarja e tyre kanë shkaktuar një grindje të fortë në BE. Në javët e kaluara anijet e organizatave humanitare me refugjatë të shpëtuar në bord u penguan të futeshin në portet e Italisë dhe Maltës. Rregullisht refugjatët mbyten në Mesdhe, shumica në përpjekjen për të kaluar nga Libia në një vend të BE-së.

UNHCR bën fjalë për „kalimin detar më vdekjeprurës të botës". Sipas Organizatës Botërore të Migracionit, IMO që nga fillimi i këtij viti kanë humbur jetën 682 migrantë, 426 prej tyre e kanë lënë jetën në itinerarin detar nga Libia në Europë. Javën e kaluar një motobarkë me 80 migrantë u fundos në Mesdhe. Numri i viktimave është rritur në 72 vetë, sipas njoftimit të Gjysmëhënës së Kuqe Tuniziane.

 

la/kle/as (afp, kna, epd, dpa)