1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maas angazhohet për marrëveshje të re me Turqinë

22 Qershor 2021

Si do të veprojë Evropa me migrantët dhe refugjatët në të ardhmen? Ministri i Jashtëm gjerman pozicionohet qartë. BE duhet të arrijë marrëveshje me Truqinë.

Berlin PK Außenminister Maas und Cavusoglu
Fotografi: Annegret Hilse/Reuters/AFP

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas po bën fushatë për një marrëveshje të re për refugjatët midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë. "Ne kemi nevojë për një rifreskim të marrëveshjes për bashkëpunim rreth çështjes së migracionit me Turqinë", tha politikani socialdemokrat për gazetën "Welt". BE ka një interes të madh që marrëveshja për migrantët me Ankaranë të zhvillohet edhe më tej. "Pavarësisht të gjitha vështirësive që kemi me qeverinë turke, duhet të pranojmë se ky vend ka marrë mbi supet e veta një barrë të konsiderueshme për ne." Pothuajse katër milion refugjatë nga lufta civile siriane dhe nga vendet e tjera në rajon jetojnë atje.

BE duhet të paguajë më shumë para

Fotografi: Nicolas Economou/NurPhoto/picture alliance

Në marrëveshjen e fundit për refugjatët,evropianët mbështetën qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan me rreth gjashtë miliardë euro. Maas vuri në dukje se në një marrëveshje të re, Turqia do të duhej të merrte edhe më shumë shumë para. "Unë nuk dua të flasë për shifra, por është krejtësisht e qartë se gjërat nuk do të funksionojnë pa para", theksoi ministri i Jashtëm gjerman.

Marrëveshja midis BE dhe Turqisë parashikon, ndër të tjera, që Ankaraja të ndërmarrë veprime kundër kalimit ilegal të refugjatëve në BE dhe se Greqia të ketë të drejtën e kthimit të refugjatëve që kanë hyrë ilegalisht në këtë vend. Nga ana tjetër, BE obligohet që për çdo refugjat të kthyer të marrë një refugjat sirian nga Turqia, si dhe ta mbështesë financiarisht këtë vend dhe të kujdeset për refugjatët.

Maas foli në këtë intervistë me gazetën "Welt" edhe për konferencën e dytë për Libinë, e cila do të zhvillohet të mërkurën në Berlin. Tema kryesore do të jetë stabilizimi i këtij vendi të Afrikës së Veriut, sepse shumë refugjatë nisin rrugën e ikjes, pikërisht nga atje, përmes Mesdheut.

Fotografi: Evren Atalay/AA/picture alliance

Maas kritikon Turqinë dhe Rusinë

Ministri Maas ka fajësuar fuqitë e tjera të angazhuara në Libi për shkelje të premtimeve, në çështjen e tërheqjes së trupave. "Ata që ranë dakord të tërhiqeshin në konferencën e fundit në Berlin, nuk i kanë realizuar premtimet", tha ai. "Nëse duam që Libia të kujdeset prapë për ecuritë në vendin e vet, atëherë forcat e huaja duhet të tërhiqen." Shtetet që kanë dërguar trupa në Libi janë në radhë të parë Turqia, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në Konferencën e Libisë në Berlin në Janar 2020, ato premtuan tërheqjen e të gjitha forcave të huaja të armatosura.

 

bc/se/ack (dpa, rtr, kna)