1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maas: Sanksione kundër nxitësve të urrejtjes në Ballkan

15 Nëntor 2021

Ministrat e jashtëm të BE-së diskutuan të hënën për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe se si mund ta mbajnë rajonin më pranë në të ardhmen.

Brüssel Heiko Maas EU-Außenministertreffen
Fotografi: JOHN THYS/AFP

Ballkani Perëndimor ishte në rend të ditës së Këshillit të BE-së për Çështje të Përgjithshme në Bruksel. Edhe pse pjesën më të madhe të debatit të krerëve të diplomacisë së 27 vendeve të BE-së e zuri kriza krijuar në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë, 

zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Bosnjë-Hercegovinë, u cilësuan nga pjesëmarrësit si tejet shqetësuese. 

Maas: Të tregohemi më të ashpër

Ministri gjerman i punëve të jashtme Heiko Maas i konsideron zhvillimet në Ballkanin Perëndimor si nga "më të vështirat në të gjithë historinë e pasluftës", siç tha ai pas takimit të ministrave të hënën në Bruksel. Ai tha se këto zhvillime nuk duhen anashkaluar, duke pasur parasysh sidomos tensionet e kohëve të fundit në Veri të Kosovës dhe në Bosnjë-Hercegovinë. 

"Ne duhet të mendojmë se si të veprojmë më ashpër ndaj atyre që i vënë në pyetje strukturat shtetërore, që i yshtin njerëzit me urrejtje e që duan t'i ndërpresin lidhjet me Bashkimin Evropian", tha ministri gjerman në detyrë, të hënën në Bruksel, pas takimit me kolegët e tij nga BE. Ai shtoi: Duhet folur edhe për mundësinë e sanksioneve për të ndalur zhvillime të tilla".

Nuk ka konsensus në BE për sanksionet

Vendosja e sanksioneve ndaj kryetarit të partisë Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNDS) të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili kohët e fundit i ka shtuar përpjekjet për të minuar shtetin multietnik të Bosnjë-Hercegovinës, mbështetet kryesisht nga Gjermania, por edhe nga disa vende të tjera të BE-së, por jo të gjitha. Shtete si Polonia, Hungaria dhe Sllovenia që udhëhiqen nga nacionalistë, janë kundër. Sanksionet që vijnë në pyetje për ish-presidentin e serbëve të Bosnjës janë ngrirja e kontove në BE dhe moslejimi i hyrjes në BE.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, në konferencën e shtypit, mbas takimit të hënën në Bruksel, vetë nuk i përmendi sanksionet e dëshiruara nga Gjermania.  Ai tha se "Bosnja Hercegovina duhet të mbetet e bashkuar. Çdo përpjekje për të krijuar shtete të reja dhe për ta ndarë duhen shmangur." Sipas medias në rajon, Borrell vetë është kundër vendosjes së sanksioneve. 

Hungaria është një nga vendet kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Dodikut. Këtu në Banja Lukë, kryeministri hungarez, Viktor Orban, duke u pritur në aeroport nga Milorad Dodik, më 6 nëntor 2021.Fotografi: Dragan Maksimovic/DW

Borrell: Kosova dhe Serbia të implementojnë marrëveshjet 

Sa i përket  Kosovës dhe Serbisë, Borrell tha se pret që të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura më parë, dhe shtoi se shpreson që qysh brenda këtij viti  "të mbahet një raund i mëtejshëm i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës".  

Debati  mbi Ballkanin Perëndimor që u zhvillua të hënën në Bruksel kishte si qëllim këmbimin e mendimeve ndërmjet anëtarëve. Në një letër që shërbeu si bazë për debatin e të cilën e ka edhe DW, situata politike në Ballkanin Perëndimor përshkruhej si "gjithnjë e më e sfiduese". Në raport përmendej në mënyrë specifike kriza e thelluar në Bosnjë-Hercegovinë, tensionet në Veri të Kosovës si dhe tensionet ndërpartiake në Mal të Zi. 

"Mbështetja e opinionit publik për integrimet në BE sa vjen e bie duke ia lënë vendin retorikave përjashtuese nacionaliste dhe politikave identitare", thuhej në raport. 


Të çelen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Çështja e zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk ishte temë e bisedës së të martës. Por ministri gjerman Heiko Maas u shpreh edhe një herë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. "Bashkimi Evropian duhet të vërtetojë që është i besueshëm", tha ministri në detyrë, "dhe të fillojë konferencat qeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse edhe kjo mund të ketë një efekt stabilizues në të gjithë rajonin."

Si Maas, ashtu edhe i  ngarkuari i BE-së me Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, konfirmuan se thuajse të gjitha vendet e mbështesin mbajtjen e konferencave qeveritare.

Komisioneri i zgjerimit Oliver Varheley, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në takim,  kishte thënë të hënën paradite, se pas zgjedhjeve në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut shpreson për  më shumë progres. Bullgaria është i vetmi shtet që vijon ta mbajë peng fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE të Maqedonisë së Veriut, dhe për rrjedhojë edhe të Shqipërisë.