Maas: Në Gjermani nuk ka detyrim për vaksinim
21 Nëntor 2021Pasi Austria, deklaroi detyrimin për vaksinim ndaj koronavirusit, politikanët gjermanë të koalicionit të ardhshëm qeverisës (socialdemokrat, ekologjistë, liberal-demokrat) e përjashtojnë një rregull të tillë për Gjermaninë. "Kjo nuk do të ndodhë", tha për kanalin „Bild live" socialdemokrati Heiko Maas, ministër i Jashtëm. "Ne nuk e konsiderojmë të nevojshme, sepse mendojmë që kjo është e vështirë edhe në aspketin e së drejtës kushtetuese", tha Maas.
Politikania liberal-demokrate përgjegjëse për çështje të shëndetësisë Christine Aschenberg-Dugnus e kritikoi kryeministrin e Bavarisë Markus Söder, i cili u shpreh hapur për detyrimin për vaksinim. "Askujt nuk i ndihmon përdorimi si kërcënim me një detyrim të përgjithshëm për vaksinim", tha ajo për gazetën "Bild"-Zeitung. "Pikërisht landet me shifra dramatike të infeksioneve me Corona duhet të përqendrohen, ashtu sikurse është rënë dakord, që të zgjerojnë ofertën për vaksinim dhe të zbatojnë masat e reja ndaj koronavirusit."
Në Austri të hënën (22.11.) vendosen sërish masat e izolimit, që prekin edhe të vaksinuarit dhe rregullorja do të jetë në fuqi për maksimumi 20 ditë. Ndërsa në shkurt të gjithë qytetarët nga një moshë e caktuar duhet vaksinohen plotësisht ndaj koronavirusit, në rast të kundërt ata do të gjobiten. Austria është vendi i parë i BE-së që në sfondin e valës aktuale të infeksionit ndërmerr masa të tilla të rrepta. Incidenca shtatë ditore e infeksioneve për 100.000 banorë të premten (19.11) në Austri ishte mbi 1000.
Gjithnjë e më shumë lande të federatës në Gjermani po i forcojnë masat kufizuese. Në Gjermani vlera mesatare, sipas të dhënave të Institutit Robert Koch (RKI) është 362. Sipas këtyre të dhënave brenda 24 orëve regjistrohen 63.924 infeksione të reja, që do të thotë 19.000 më shumë se përpara një jave. Kuota e hospitalizimeve sipas RKI është 5,34 për 100.000 banorë në shtatë ditë.
Nëse incidenca e hospitalizimeve është 3 në një land hyn në fuqi rregullorja 2G (vaksinuar, ose shëruar ndaj COVID-19) vetëm personave që e dëshmojnë këtë u lejohet aksesi në aktivitete publike. Ndërsa me incidencën 6 të hospitalizimeve vlen rregulli 2G, për të pasur akses në aktivitete publike edhe të vaksinuarit apo të shëruarit duhet të paraqesin edhe një test negativ ndaj koronavirusit.
Në landin Zarës (Saarland) dhe në Hamburg që nga e shtuna (20.11) ka hyrë në fuqi rregullorja 2G për hyrjen në mjediset e gastronomisë, në bare, klube e diskoteka, për aktivitete sportive si dhe në mjedise të mbyllura për koncerte, apo të tjera aktivitete të kohës së lirë. Bavaria të premten (19.11) vendosi që nga e hëna të hyjnë në fuqi masat e izolimit për të pavaksinuarit si dhe në zonat me kuotë të lartë infeksioni lockdown për të gjithë qytetarët. Në qarqet e këtij landi me një incidencë mbi 1000 do të mbyllen të gjitha mjediset e gastronomisë, hotelet, parukeritë, si dhe mjediet për aktivitete sportive e kulturore. Edhe në Saksoni kanë hyrë në fuqi masa të forta me kufizime.
Presidenti i RKI Lothar Wieler sërish bëri thirrje për pakësimin e kontakteve fizike në mbarë Gjermaninë. Me masa të tilla në landet me kuota të ulëta infeksioni ka shans që të ruhet ky nivel. Po ashtu Wieler thekson, se duhet të vazhdojë të rritet kuota e vaksinimeve.
RKI përmend si objektiv që në verë të paktën 85 përqind e popullsisë nga mosha 12 deri në 59 dhe 90 përqind e popullsisë nga 60 vjeç të jenë vaksinuar plotësisht ndaj COVID-19. Në rast se nuk mjafton pakësimi i kontakteve dhe nuk rritet numri i të vaksinuarve „nisur nga skema deritanishme e përhapjes së infeksionit" mund të pasojë edhe një valë e pestë Corona", tha Wieler.
jj/AR (dpa, afp, rtr)