1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Macron emëron ish-ministrin e Mbrojtjes si kryeministër

10 Shtator 2025

Presidenti francez Emmanuel Macron emëron ish-ministrin e Mbrojtjes Sébastien Lecornu si kryeministër. Lecornu pason François Bayrou, i cili dha dorëheqjen pasi humbi mocionin e votëbesimit.

Sebastien Lecornu  ish-ministri francez i Mbrojtjes
Presidenti francez Emmanuel Macron emëron ish-ministrin e Mbrojtjes Sébastien Lecornu si kryeministërFotografi: Thomas Samson/AFP

39-vjeçari Lecornu konsiderohej si kandidat për pozicionin e kryeministrit që dhjetorin e kaluar, por Macroni zgjodhi në fund Bayrou-n. Lecornu u largua nga partia konservatore Les Republicains dhe iu bashkua lëvizjes politike të qendrës së Macron-it kur ky u zgjodh për herë të parë president në vitin 2017. Pesë vjet më vonë, ai udhëhoqi fushatën e rizgjedhjes së Macron-it. Lecornu konsiderohet njeri i besuar i Macron-it. Lecornu ka pasur pozicione në qeveritë lokale dhe territoret jashtë shtetit. Ai  luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në trajtimin e lëvizjes së Jelekëve të Verdhë nga Macroni, duke ndihmuar në menaxhimin e zemërimit popullor përmes dialogut.

Ngritja e Lecornu-së pasqyron prirjen e Macron-it për të shpërblyer besnikërinë. Vëzhguesit  e shohin emërimin edhe si një shenjë vazhdimësie.Fotografi: Benoit Tessier/AFP

Shpërblim për besnikërinë

39-vjeçari është ministri më i ri i Mbrojtjes në historinë franceze dhe arkitekti i një fuqizimi ushtarak masiv deri në vitin 2030, që lidhet me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Ngritja e Lecornu-së pasqyron prirjen e Macron-it për të shpërblyer besnikërinë. Vëzhguesit  e shohin emërimin edhe si një shenjë vazhdimësie.

Që nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar Asambleja Kombëtare është thellësisht e përçarë. Partia e Macron-it, nacionalistët e djathtë të Le Pen-it dhe kampi i majtë janë përballë njëri-tjerit si tre blloqe të mëdha, por asnjëri prej tyre nuk ka shumicën e vet. Qeveria e Barnier-it, e varur nga nacionalistët e djathtë, dështoi; Bayrou fillimisht u tolerua nga socialistët, por më pas e humbi mbështetjen e tyre.

Ish-kryeministri i Francës, Francois Bayrou dhe Sebastien LecornuFotografi: Ludovic Marin/AFP

"Fisheku i fundit"

Kryetarja e grupit parlamentar të populistëve të djathtë, Marine Le Pen, e akuzoi Macronin se kishte qëlluar "fishekun e tij të fundit". Kryetarja e Partisë së Gjelbër, Marine Tondelier, e quajti emërimin e një kryeministri tjetër nga kampi qeveritar - i cili u rendit i dyti në zgjedhjet parlamentare - "provokim". Megjithatë Lecornu konsiderohet si politikan që tolerohet nga e djathta konservatore dhe të paktën nuk është përballur me kundërshtim të hapur nga e majta.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW