1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëFrancë

Macron nuk e përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë

27 Shkurt 2024

Në konferencën për Ukrainën e mbajtur në Paris, më shumë se 20 vende vendosën t'i japin më shumë dhe më shpejt ndihmë asaj. Macron nuk përjashton as dërgimin e trupave.

Emmanuel Macron gjatë konferencës për mbështetjen e Ukrainës
Emmanuel Macron nuk përjashton dërgimin e trupave në UkrainëFotografi: Gonzalo Fuentes/AP Photo/picture alliance

Emmanuel Macron nuk e përjashton dërgimin e forcave tokësore franceze në Ukrainë. Asgjë nuk përjashtohet për të penguar fitoren e Rusisë në Ukrainë, tha presidenti francezpas përfundimit të konferencës për ndihmën e Ukrainës të mbajtur me 26 shkurt në Paris.

Në takimin e më shumë se 20 krerëve të shteteve dhe qeverive, ku mori pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, nuk pati një qëndrim të përbashkët në lidhje me dërrgimin eventual të forcave tokësore. Por, siç tha Macron, asgjë nuk mund të përjashtohet në rrjedhën e ardhshme të luftës.

Kurrë mos thuaj kurrë

Pamje nga konferenca për mbështetjen e UkrainësFotografi: Stephane Lemouton/abaca/picture alliance

"Sot nuk ka konsensus për dërgimin e forcave tokësore, por asgjë nuk mund të përjashtohet”, tha Macron. "Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të siguruar që Rusia të mos e fitojë këtë luftë."

Shumë njerëz që sot thanë "kurrë, kurrë" janë të njëjtët ata që dy vjet më parë thanë "kurrë, kurrë tanke, kurrë, kurrë aeroplanë, kurrë, kurrë raketa me rreze më të gjatë", kujtoi presidenti francez dhe shtoi, se sot të gjithë po dërgojnë tanke e raketa. "Pra, çdo gjë është e mundur nëse duam të arrijmë qëllimin tonë."

"Konkludimi i përgjithshëm i konferencës është se siguria e të gjithë neve është në rrezik”, tha Macron në fillim të konferencës. Rusia, thotë ai, po bëhet më e ashpër – politikisht dhe në frontin e luftës në Ukrainë, ku kërcënojnë sulmet e reja ruse.

Humbja e Rusisë, beson ai, është e nevojshme për stabilitetin dhe sigurinë në Evropë. Kjo është arsyeja pse ata që mbështesin Ukrainën duhet të bëjnë edhe më shumë përpjekje. "Ne jemi në procesin e vendosjes së sigurisë sonë për sot dhe nesër”, tha Macron dhe shtoi: "Ne nuk duam të hyjmë në luftë me popullin rus”.

Polonia gjithashtu?

Para nisjes për takimin në Paris, kryeministri sllovak Robert Fico paralajmëroi për një "përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve" me Rusinë. Disa vende, të cilat ai nuk donte t'i përmendte, me sa duket ishin gati të dërgonin ushtarët e tyre direkt në Ukrainë. Kjo, megjithatë, nuk do ta bindte Rusinë të dorëzohej, thotë Fico, por do të rriste rrezikun e përhapjes së konfliktit.

Macron dhe Scholz kanë tani për tani qëndrimet të ndryshmeFotografi: Gonzalo Fuentes/AFP/Getty Images

I pyetur për dislokimin e mundshëm të ushtrisë nga Polonia, Macron tha pas konferencës se çdo vend mund të vendosë në mënyrë të pavarur dhe sovrane për dislokimin e forcave tokësore.

Koalicioni i ri për dërgimin e armëve

Në takim u vendos që të formohet një koalicion për furnizimin e Ukrainës me raketa dhe bomba me rreze të mesme dhe të gjatë për sulme shumë larg prapa linjave ruse, njoftoi presidenti francez.

Në afat të shkurtër duhet të sigurohen municione shtesë për Ukrainën. Ndër të tjera, është rënë dakord edhe për iniciativat për mbrojtjen kibernetike, për prodhimin e përbashkët të armëve, kapaciteteve ushtarake dhe municionit në Ukrainë, si dhe mbrojtjen e vendeve që janë drejtpërdrejt të kërcënuara nga ofensiva ruse në Ukrainë, veçanërisht Moldavia.

Macron tha gjithashtu se vendet e mbledhura duan të mbështesin Ukrainën me forca "jo-ushtarake" në kufirin e saj me Bjellorusinë. Këztu bëhet fjalë për nxjerrjen dhe çaktivizimin e minave.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë