1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
EkonomiFrancë

Macroni me plan ambicioz për mbrojtjen e klimës

29 Shtator 2023

Franca do të reduktojë deri në vitin 2030 emetimet e CO2: në gjysmën e nivelit të vitit 1990. Një plan për mbrojtjen e klimës parashikon automobilë elektrikë shumë më të lirë e prodhim masiv të pompave termike.

Paris Macron Treffen mit Bürgermeistern
Fotografi: Ludovic Marin/AFP/AP/picture alliance

Qeveria franceze ka paraqitur një plan gjithëpërfshirës për mbrojtje më të madhe të klimës. Ajo angazhohet për të reduktuar emetimet e gazeve serrë me 55% deri në vitin 2030 krahasuar me vitin 1990. Për të arritur këtë qëllim, Franca duhet të lëvizë tani "dy herë më shpejt" se në vitet e mëparshme, theksoi Presidenti Emmanuel Macron në një takim ministror.

Fundi i dy termocentraleve të qymyrit deri në 2027

Macron prezantoi planet se si të punohet për të arritur qëllimet klimatike. Ai konfirmoi se dy termocentralet e fundit të Francës me qymyr do të ndalojnë së funksionuari në vitin 2027. Termocentralet duhej të mbylleshin vitin e kaluar, por qeveria e vonoi këtë për shkak të krizës energjetike të shkaktuar nga lufta ruse kundër Ukrainës dhe mbyllja e reaktorëve bërthamorë francezë.

Një milion pompa termike deri në vitin 2027

Fotografi: Michel Euler/AP Photo/picture alliance

Ashtu si Gjermania, Franca dëshiron të braktisë kaldajat me gaz për ngrohje dhe të kalojë në pompat termike. Prodhimi i pompave termike do të trefishohet në katër vitet e ardhshme. Nga tani deri në vitin 2027, Franca do të prodhojë një milion njësi dhe do të trajnojë 30.000 vetë për t'i instaluar ato, shpjegoi Macroni. Franca dëshiron të zhvillojë një sektor industrial të pompave termike dhe kështu të bëhet më pak e varur nga lëndët djegëse fosile.

Automobilët elektrikë më të lirë

Macroni gjithashtu dëshiron t'i bëjë automobilët elektrikë të përballueshëm për një pjesë të madhe të popullsisë. Duke filluar nga viti i ardhshëm, personat me të ardhura më të ulëta do të mund të marrin me qira makina elektrike për vetëm 100 euro në muaj. Oferta do të jetë e kufizuar për automjetet e prodhuara në Evropë. Modalitetet e sakta janë ende duke u përpunuar. Siç tha Macroni, numri i automobilave elektrikë të prodhuara në Francë duhet të rritet në një milion automjete në vit deri në vitin 2027.

Fotografi: Stephane Lemouton/abaca/picture alliance

Së fundi, Parisi dëshiron të inkurajojë kalimin nga përdorimi i automobilave në përdorimin e mjeteve të transportit publik. Për ta bërë këtë, në 13 aglomerate në vend do të krijohen rrjete hekurudhore për tramvajet e udhëtarëve, tha Macron. Një rrjet rajonal i transportit të shpejtë ka nisur të ndërtohet së fundmi në Strasburg.

Në përgjithësi, plani shtetëror i klimës duhet ta bëjë Francën më pak të varur nga lëndët djegëse fosile dhe më konkurruese, theksoi Macroni. Plani është pjesë e një politike të riindustrializimit të Francës përmes elektrifikimit të transportit dhe industrisë. Përveç kësaj, synohet të zvogëlohet varësia nga importet.

 

aur (ag)