1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Madeleine Albright ndërron jetë

Sarah Hofmann
23 Mars 2022

Madeleine Albright, gruaja e parë në krye të Ministrisë së Jashtme të SHBA-së, dhe mbështetëse e Kosovës, ndërron jetë në moshën 84-vjeçare.

Madeleine Albright gestorben
Fotografi: BRENDAN SMIALOWSKI/AFP

Madeleine Korbel Albright, ishte gruaja e parë që mori postin e ministres së Jashtme të SHBA-së, pasi Bill Clinton u rizgjodh si president në vitin 1997. Profesorja e shkencave politike kishte bërë më parë emër si këshilltare për politikën e jashtme të kandidatëve të ndryshëm demokratë për president. Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë Clinton e emëroi atë si ambasadore të SHBA-së në OKB në vitin 1993.

Pamje nga ceremonia e betimit si ministre e JashtmeFotografi: Greg Gibson/AP Photo/picture alliance

Emërimi i Albright, e cila përveç anglishtes dhe çekishtes, fliste edhe frëngjisht, rusisht, serbisht dhe polonisht, u prit kryesisht pozitivisht në Evropë, sepse ajo kishte një interes të veçantë për Evropën Qendrore dhe Lindore dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Prioritetet e politikës së jashtme të Madeleine Albright ishin angazhimi ndaj procesit të paqes në Lindjen e Mesme, marrëdhënie më të mira dypalëshe me Kinën dhe Rusinë dhe zgjerimi i NATO-s drejt lindjes. Ajo gjithashtu vazhdoi të mbajë një qëndrim të ashpër kundër Sadam Huseinit në Irak dhe kundër Slobodan Millosheviçit në Serbi.

Mbështetëse e Kosovës

Në vitin 1999 Albright mbështeti me forcë dhe këmbënguli për operacionin e NATO-s kundër Serbisë në konfliktin e Kosovës, edhe pa mandat të OKB-së, për t'i dhënë fund masakrës ndaj shqiptarëve. Gjatë kësaj kohe ajo u takua edhe me ministrin e Jashtëm gjerman Joschka Fischer, i cili më vonë u bë mik i saj.

Pioniere për gratë në poste politike

Madeleine Albright ishte mbështetëse e grave. Thuhet se ajo thoshte se në ferr ka një vend për gratë që nuk ndihmojnë gratë e tjera. Dhe pavarësisht dallimeve politike, Albright ishte mike me Condoleezza Rice, e cila më vonë u bë  ministre e Jashtme e SHBA-së.

Fotografi: SAUL LOEB/AFP

Po ashtu Albright mbështeti Hillary Clinton në fushatën presidenciale të SHBA-së në vitin 2016. Kandidatja demokrate do të jetë një presidente "e shquar" tha Albright gjatë fushatës.

Origjina çeke 

Albright u lind më 15 maj 1937 në kryeqytetin çek. Emri i saj i lindjes ishte Marie Jana Korbelova. Kur ajo ishte e vogël familja e saj, babai i saj diplomat, u zhvendos në Londër dhe jetoi atje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Arsyeja ishte pushtimi i gjerman i Pragës. Pas luftës familja u kthye në Pragë, por emigroi përsëri për në SHBA pasi komunistët morën pushtetin. Albright mori nënshtetësinë amerikane në 1957.

Madeleine Albright vdiq në moshën 84-vjeçare. Me vdekjen e saj Shtetet e Bashkuara humbën një politikane dhe diplomate të rëndësishme.