1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mafia? Jo faleminderit!

Aygül Cizmecioglu 25 Gusht 2007

Pronarët e restoranteve italianë në Berlin organizojnë fushatë kundër mafies

Nismëtarët e fushatësFotografi: AP

Gjashte të vdekur dhe një pikëpyetje e madhe - mos ka filluar mafia italiane të përhapë dhunën e saj edhe në Gjermani? Një javë më parë, në një piceri në Duisburg u vra në mënyrë brutale një grup të rinjsh italianë. Sipas policisë, të gjitha shenjat flasin për "larje hesapesh" në qarqet mafioze. Supozohet që mbas këtij atentati të fshihet Ndrangheta kalabreze. Nën moton "Mafia? Jo, faleminderit!" janë bashkuar tani pronarët e restoranteve italiane në Berlin. Kjo fushatë e ka zanafillën tek një nismë e ashtuquajtur "UIM", një organizatë e italianëve që jetojnë jashtë atdheut dhe është e vetmja në të gjithë Evropën.

Është mesditë dhe në Osteria Nr. 1. ka shumë punë. Tarraca e verës është e mbushur me mysafirë. Aroma e picave të porsapjekura dhe limonçelos të shpon hundët. Pronari, Fabio Angilé, lëvrin ndërmjet tavolinave me mbulesa të bardha prej letre. Duart e tij të mbushura me specialitete të kuzhinës italiane dhe broshura të vogla. "Njerëzit që i nënshtrohen mafies, janë njerëz pa dinjitet!" shkruhet në to.

Disa ditë më parë 39 vjeçari është bërë bashkë me pronarët e tjerë të restoranteve italianë dhe ka krijuar nismën "Mafia? Jo faleminderit!". Një reagim ndaj vrasjeve në Duisburg: "Në Berlin në fakt nuk ka mafie. Por mbas vrasjes së gjashtë italianëve imazhi i Italisë është keqësuar. Dhe natyrisht që kjo është shkak për të bërë diçka. Problemi kryesor në Itali është heshtja, të qenit i verbër dhe i shurdhër dhe nëpërmjet këtij aksioni ne duam të parandalojmë, dhe t'i kundërvihemi mafies, kundër heshtjes dhe kundër frikës", thotë ai.

Rrjetit tashmë i janë bashkangjitur rreth 25 pronarë italianë në Berlin. Antarët kanë marrë përsipër që të mos punësojnë njerëz që kanë lidhje me mafien dhe që të njoftojnë në polici në çdo rast që u kërkohet pagesa e gjobave ilegale. Pllakata të ngjitura nëpër dyer dhe mure u sinjalizojnë mysafirëve se kanë hyrë në një zonë pa mafie. Rrjeti kundër mafies synon njëkohësisht që në të ardhmen të krijojë vulën e tij të posaçme dhe të përhapet edhe në landet e tjera të Gjermanisë. Sepse vrasjet e Duisburgut kanë filluar të tregojnë pasoja: “Piceritë e vogla që nuk janë integruar ende e kanë të vështirë të luftojnë me frikën e mysafirëve dhe shumë restorante po vihen në rrezik mbijetese. Ata kanë shënuar një humbje prej 30 për qind", sqaron Angile.

Në restorantet e vjetra, siç është Osteria Nr. 1, pasoja të tilla nuk ndihen. Me historinë e tij 30 vjeçare ky lokal është kthyer tashmë në institucion gastronomik të kryeqytetit. Fabio Angilé njeh personalisht shumë prej klientëve. "Unë jam këtu mysafir i përhershëm që prej dhjetë vjetësh, kështu që s'kam përse të kem frikë se mund të ndodh diçka," thotë njëri nga klientët. Në tavolinën përbri tij një grua shton: “Unë kam besim të plotë tek Fabio dhe personeli i tij."

Prandaj edhe kjo fushatë kuptohet para së gjithash si masë parandaluese dhe platformë sqaruese. Sepse jo çdo picapjekës është mafioz dhe bandat italiane, si Camorra ose Ndrangheta, i bëjnë paratë tashmë me të tjera gjëra, thotë Fabio Angilé: “Ata i fitojnë paratë me drogë, prostitucion dhe tregëti armësh dhe këto para vihen nëpër aksione. Gjobat ilegale ndaj lokaleve janë vogëlsira."

Restorantet jashtë shtetit janë interesante ndoshta për të larë paratë, mendon Fabio Angilé. Dhe pikërisht që kjo të mos ndodhë ai ka organizuar këtë fushatë antimafie. Burri shtatvogël me flokët e qethura shkurt di që së keqes i duhet dalë përpara.