1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180210 Inside Europe Montenegro Sprache

2 Mars 2010

Si qëndron puna me të ashtuquajturat gjuhë të reja që po zhvillohen? Njërën prej tyre e gjen në shtetin e vogël ballkanik të Malit të Zi, i cili u shkëput nga Serbia në vitin 2006.

Cetinjë, Mal i Zi
Cetinjë, Mal i ZiFotografi: DW

Mali i Zi e ka rishkruar kushtetutën e tij, duke e zëvendësuar serbishten me gjuhën malazeze, si gjuhë zyrtare. Dhe në këtë shtet, konceptin e gjuhës amtare e kuptojnë shumë drejtpërdrejt.

Ž dhe Z janë të ndryshme

Në zyrën e saj në qendër të kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricë, Jelena Šušanj po më mëson si t'i lëviz buzët për të artikuluar në një mënyrë të re dhe të mprehtë.

JELENA: Ne kemi ž dhe z.

MARK: E kam të vështirë ta dalloj diferencën.

JELENA: Epo, ja që janë të ndryshme.

Jelena është njëra prej atyre që bën publicitet për gjuhën malazeze. Kjo gjuhë u bë gjuhë zyrtare në vitin 2007, një vit pasi ky vend shumë i vogël u shkëput nga Serbia, motra më e madhe. Mbështetësit e gjuhës malazeze thonë se ka disa dallime me leksikun dhe shqiptimin e serbishtes. Fjala për qumështin në serbisht për shembull është 'mleko', kurse në malazishte 'mlijeko'. Por dallimi më i fortë, thonë ata, konsiston në dy gërma dhe tinguj të rinj. Pas një mësimi intensiv, unë jam dakord që t'i provoj këta tinguj.

Serbishte dhe malazishte

MARK: “Pra në serbishte dhe malazishte ka š dhe ž, por vetëm në malazishte ka s dhe z. E saktë?"

JELENA: “Po, pak a shumë. Je shumë i aftë.”

MARK: “A përfaqësojnë këto dallime vërtet një gjuhë të re, apo kemi të bëjmë vetëm me dialekte të ndryshme të së njëjtës gjuhë?”

JELENA: “Kur kemi gjuhën serbe dhe gjuhën kroate, pse të mos kemi edhe gjuhën malazeze? Ti ke një komb, dhe kombi zakonisht ka kishën e tij, kulturën e tij, traditën dhe në kulturën, traditën malazeze ne kemi një diçka specifike... le ta quajmë gjuhë.”

Por, shumë vetë këtu besojnë se malazishtja nuk ekziston

Në shkollë dhe kudo në vend njerëzit hutohen kur mësimet e gjuhës i quajnë 'gjuhë amtare'. Kjo është një zgjidhje kompromisi, për një çështje e cila e nxorri kokën me shpërbërjen e Jugosllavisë, kur republikat përbërëse deklaruan vdekjen e lingua franca-s së vjetër, serbokroatishtes dhe çdo shtet i ri e përdori çështjen e gjuhës për të çimentuar identitetin e tij.

Mësuesja e shkollës fillore, Jelena Begović u mëson dhjetëvjeçarëve "gjuhën amtare". Ajo shpjegon konceptin ku bazohen orët e mësimit: “Ky emër nxit diversitetin gjuhësor. Kjo është një zgjidhje e mirë, sepse të gjithë janë të barabartë. Në fakt, në shkollë ne nuk flasim për çështje politike. Dhe emri i gjuhës në Mal të Zi është një çështje politike."

Çështja e gjuhës politike

Çështja e gjuhës është kthyer me të vërtetë në një çështje thellësisht politike në Mal të Zi, me politikanë nacionalistë dhe parti opozitare serbe që janë angazhuar në një konfrontim linguistik. Vijat e frontit duken veçanërisht qartë këtu në universitetin e Nikšićit, gjashtëdhjetë kilometra prej Podgoricës.

Goran Radonjić është mësues i letërsisë serbe dhe anëtar i partisë opozitare Demokracia e Re Serbe. Ai thotë se i vetmi dallim midis malazishtes dhe serbishtes është ideologjia politike pas tyre. Ai shton se ata që mbrojnë serbishten nuk e shohin më të mundur ta bëjnë këtë në mënyrë publike. “Që të ruash vendin e punës duhet të deklarosh se ekziston një gjuhë malazeze dhe se ti e flet gjuhën malazeze. Me një fjalë, të gjithë ata që janë të punësuar në shtet kanë frikë. Ata kanë frikë se mund të humbasin punën, kanë frikë se i damkosin si tradhtarë. Synimi i një gjuhe është t'u mundësojë njerëzve komunikimin. Kur ti krijon një gjuhë të re, ti vendos disa barriera midis nesh."”

Përpara ka qenë serbishtja

Po të pyesësh në rrugët e Podgoricës për këtë temë, dëgjon opinione të ndara:

Pyetje: “Cila është gjuha që flisni këtu?”

Përgjigje: “Unë flas gjuhën malazeze. Meqenëse ne kemi shpallur pavarësinë, është legjitime të kërkojmë të flasim gjuhën tonë.”

Pyetje: “Cila është gjuha që flisni”

Përgjigje: “Serbishtja.”

Pyetje: “Jo malazishtja?”

Përgjigje: “Jo. Pash Zotin, malazishtja nuk është gjuhë tjetër. Në Amerikë, ata nuk e quajnë gjuhën e tyre amerikanishte, por anglishte.”

Pyetje: “Cila është gjuha juaj amtare?”

Përgjigje: “Malazishtja.”

Pyetje: “A ka qenë gjithmonë malazishtja apo ka ndryshuar?”

Përgjigje: “Jo, ka ndryshuar -- përpara ka qenë serbishtja. Në thelb është e njëjta gjuhë, por ne kemi veçoritë tona.”

Një udhëtim në Mal të Zi nuk do të ishte i plotë pa...kënaqësinë e tingujve të lahutës - një instrument me një tel, për të cilin njerëzit këtu thonë se është instrument i kulturës malazeze, megjithëse ka serbë që thonë se është më shumë i tyre. Vendi piktoresk ka vetëm 630 mijë banorë, por shumë krenari kombëtare. Çështja është që duke e nxitur identitetin e tij, në dallim nga Serbia, a po e bën vija gjuhësore më të vështirë për malazezët që të flasin me të njëjtën gjuhë?

Autor: Mark Lowen/Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama