Malta dhe gjuha e saj - urë lidhëse mes Evropës dhe Afrikës
25 Shkurt 2004Që prej vitit 1974 Malta është shtet i pavarur. Deri në këtë vit ishulli për 200 vjet me radhë ishte nën pushtetin e britanikëve. Madje rreth vitit 1800 në Maltë u shpall gjuhë zyrtare anglishtja. Për vite me radhë gjuha malteze përdorej vetëm në familje. Por në vitin 1934 maltezët ia dolën mbanë që gjuha e tyre të njihej prej britanikëve si gjuhë zyrtare. Rregullat e drejtëshkrimit të gjuhës malteze u vendosën në fund të viteve 20-të. Gjuha malteze ka një ndikim të madh prej arabishtes, ndikim i cili ishte mjaft i fortë deri në shekullin e 13-të. Në Mesjetë gjuha mori shumë huazime prej gjuhëve romane, për shkak të Urdhërit katolik të Maltës që u vendos në këtë ishull. Më pas gjuha malteze iu nënshtrua ndikimit të anglishtes. Sot gjuha që flitet në Maltë është një gjuhë që i takon familjes semito-hamite, por që ndryshe nga gjuhët e tjera të kësaj familjeje nuk shkruhet me alfabet arab, por latin.
Edhe pse sot në Maltë përdoren paralelisht si gjuha malteze edhe anglishtja, shumëkush mendon se me anëtarësimin e Maltës në BE, anglishtja do të dalë sërish fituese mbi gjuhën e vendit.
I këtij mendimi është edhe Luçiano, rojtar i një parkimi makinash përpara një hoteli. Në komunikim me baristin, ai përdor gjuhën malteze, kurse me ne flet anglisht. "Gjuha malteze, thotë ai në një anglishte të rrjedhshme, është gjuha e gjyshërve dhe e prindërve, gjuha e halleve tona të përditshme, apo gjuha në të cilën unë ëndërroj. Dua që edhe fëmijët e mi të mos e harrojnë. Ne jemi të vegjël, dhe unë ndjehem mirë dhe jam krenar, kur flas gjuhën malteze. As amerikanët që janë popull i madh s'kanë gjuhë të vetën, por flasin anglisht" - shton ai duke qeshur.
Malta ka rreth 380.000 banorë. Po ashtu në të gjithë botën jetojnë të shpërndarë rreth një gjysmë milioni maltezë të tjerë. Të gjithë këta i bashkon gjuha malteze. Por për shkak të anëtarësimit të Maltës më 1. maj në BE, shumë prindër flasin me fëmijët e tyre në shtëpi anglisht dhe jo në gjuhën e vendit. Maria, pronare e një bari të vogël në Valeta, mendon se këtë ata e bëjnë vetëm për shkak të turistëve.
Poeti dhe profesori i letersisë Oliver Frixheri pasi na lexon diçka nga një prej poezive të tij të shkruara në gjuhën malteze, thotë se në leksione dhe seminare përdor anglishten, por është i sigurt se gjuha malteze, e cila është një thesar i rrallë nuk do të lihet në harresë prej banorëve të Maltës. Gjithsesi ai mendon se për shkak të fenomenit të dygjuhësisë që është i pranishëm në Maltë, në vend do të krijohet, shpejt a vonë, një lloj gjuhe e re, e përzier me anglishten. Frixheri kërkon që jo vetëm poetët, por edhe mësuesit, gazetarët apo politikanët të kujdesen për ruajtjen e gjuhës së Maltës.
"Gjuha malteze është e vetmja gjuhë e familjes semite që shkruhet me shkronja latine. Ky kombinim është unikal dhe diçka që Malta mund t'ia ofrojë kontinentit evropian si një urë mes Afrikës dhe Evropës." - thotë Frixheri.