Maqedoni e Veriut: Gjykata Kushtetuese heq "Balancuesin"
10 Tetor 2024Në Maqedoninë e Veriut mekanizmi i "Balancuesit” përcaktonte punësimet në administratën publike sipas përkatësisë etnike, me qëllim promovimin e barazisë etnike dhe përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në institucionet publike. Iniciativën për shfuqizimin e Balancuesit në Gjykatën Kushtetuese e ka inicuar Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit pasi kishte konstatuar se përmes mekanizmit të Balancuesit bëheshin abuzime gjatë punësimit në administratën shtetrore.
Kostadinovski: Vendimi është marrë me shumicë votash
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski vlerëson se qëllimi i këtij instrumenti është shteruar pasi rrethanat nga viti 2001 kanë ndryshuar. Nëse qëllimi fillestar ka qenë diskriminimi pozitiv, Kostadinovski thotë se ky instrument tani ka kohë që po kryen diskriminim klasik. "Në vitin 2001 kjo masë ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme, sepse rendi ynë juridik asokohe kishte anomali. Tani qëllimi i ekzistimit të saj është shteruar, raporte të ndryshme tregojnë që ky qëllim është shteruar”, është shprehur Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Shumica e gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese vlerësojnë se përmes shfuqizimit të balancuesit do të ndikohet që në të ardhmen të ketë një administratë publike më profesionale.
Kadriu: Dyshime për presion politik për shfuqizimin e balancuesit
Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu vlerëson se vendimi është i pastër antikushtetues, pasi përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është kategori kushtetuese dhe nuk mund të shfuqizohet. Gjykatësi Osman Kadriu shpreh dyshime se ka pasur presionpolitik që Gjykata Kushtetuese ta shfuqizojë instrumentin, i cili garanton përfaqësimin e drejtë të përkatësive etnike në administratën publike. Zgjidhja e përhershme, sipas Kadriut duhet të rregullohet me ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht vendimet në Gjykatën Kushtetuese të kalohen me Badenter që të mos mund të mbivotohen gjykatësit shqiptarë.
BDI: Pa balancues bashkësitë etnike do të jenë të padukshme
Shfuqizimi i balancuesit sipas Frontit Evropian opozitar është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Sipas tyre, është e kotë të flitet tani për propozim të ri ligjor për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të etnive në administratën publike. "Është një vendim skandaloz, është një vendim puro politik, është një vendim hapur në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese në vend që të jetë gardian i kushtetushmërisë, sjell një vendim në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Marrëveshjen e Ohritt”, shprehet deputeti i Frontit Evropian Arbër Ademi. Deri tani nga partia opozitare maqedonase, LSDM nuk ka asnjë reagim për shfuqizimin e balancuesit.
Shasivari: Pa krijohet boshllëk që prodhon pasiguri juridike
Jeton Shasivari profesor i Kushtetueses është i mendimit se me shfuqizimin e balancuesit, hiqet instrumenti i vetëm ligjor për diskriminim pozitiv, i cili deri diku garantonte balancën etnike në sektorin publik.
"Kjo situatë mund të çojë vendin në një pasiguri juridike, duke shtuar rastet e diskriminimit mbi baza etnike dhe prishjen e ekuilibrit horizontal etnik në punësimet në sektorin publik. Kjo situatë e re juridike krijon një boshllëk që do prodhojë pasiguri juridike”, shprehet profesor Shasivari
Snopçe: Do të ketë ligj të ri që do ta zëvendësoj balansuesin
Koalicioni i pozitës VLEN, ka premtuar që mekanizmi i "Balancuesit” do të zëvendësohet me ligj të ri, që do të përcaktojë punësimet edhe sipas përkatësisë etnike. Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Halil Snopçe thotë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të propozohet ligj i ri. "Drafti është gati. Duam të bëjmë debat publik me ekspertë për t'i pasur parasysh edhe vërejtjet e tyre, sepse është ligj i ndjeshëm. Nuk duam të bëjmë fushatë politike me këtë gjë, por ta zgjidhim problemin”, ka thënë Halil Snopçe, koordinator i grupit parlamentar të VLEN.