1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni e Veriut:Numër rekord i të infektuarve me Covid-19

19 Nëntor 2020

Maqedonia e Veriut ka regjistruar numrin me të lartë të të infektuarve me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Nga 3.398 teste të kryera gjatë 24 orëve të fundit, 1.406 pacientë kanë rezultuar pozitivë.

Nord-Mazedonien Skopje | Coronavirus | Entnahme Abstrich Corona-Test
Fotografi: DW/P. Stojanovski

Ministria e Shëndetësisë regjistroi (19.11) edhe 21 viktima. Numri i përgjithshëm i të prekurve që nga fillimi i pandemisë ka arritur bilancin e 50.015, ndërsa dukshëm ngushtohet edhe diferenca mes rasteve aktive dhe pacientëve të negativizuar. Shkupi mbetet qyteti më i rrezikuar me numrin më të madh të rasteve aktive, incidencën dhe mortalitetin më të lartë. Ndërkohë qyteti i Tetovës, Gostivarit, Prilepit dhe Kumanovës gjithashtu janë kategorizuar si qytetet, në të cilët transmetimi i virusit është në rritje të vazhdueshme si pasojë e vatrave jashtë kontrollit.

Merret vendim për shpalljen e gjendjes së krizës

Duke patur parasysh gjendjen gjithnjë e më serioze me numrin gjithnjë në rritje të të prekurve me virusin COVID-19, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, të cilin e udhëheq presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, ka marrë vendim që t'i propozohet qeverisë që të shpallë gjendje të krizës në të gjithë territorin e shtetit për një periudhë prej 30 ditësh.

"Në seancën e Këshillit të Sigurisë, debatuam për gjendjen me COVID-19. Situata është serioze, gjendja është shumë më e keqe se sa gjatë valës së pranverës. Në këtë drejtim pas një debati ku morën pjesë të gjithë, Këshilli i Sigurisë vendosi që t'i propozojë qeverisë që të shpallë gjendje të krizës, në afat prej 30 ditëve në territorin e të gjithë shtetit”, deklaroi Stevo Pendarovski president i RMV-së..

Zaev: Nuk përjashtohet mundësia për një mbylljeje të re

Kryeministri Zoran Zaev tha, se pas propozimit të Këshillit të Sigurisë më së voni deri të premten (20.11) do të mund të shpallet gjendja e krizës në të gjithë territorin e vendit.

"Më së voni deri nesër në mbrëmje do të mbajmë mbledhjen e Qeverisë dhe besojmë se do të shpallim gjendje të krizës”, tha kryeministri Zoran Zaev. Kreu i ekzekutivit deklaroi se nuk përjashtohet mundësia për një mbyllje të re, por që sipas tij për momentin kjo nuk po shqyrtohet.

"Nuk përjashtohet mundësia për "lockdown” ose orë policore, por për momentin nuk po shqyrtohet kjo mundësi. E dini se kjo është nën kompetenca të Komisionit për sëmundje infektive. Detyra ime është të informoj qytetarët që gjendja e krizës nuk ka lidhje me orën policore”, ka thënë Zaev.

Edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe vlerëson se për momentin nuk shqyrtohet ora policore dhe se ajo nuk do të ketë asnjë efekt në gjendjen me pandeminë.

"Restriksionet në lëvizje besojmë se nuk do të kenë efekt. Ajo që duhet parandaluar janë grupimet dhe ajo që duhet bërë është të mbahen maskat si në ambiente të jashtme ashtu edhe në ambiente të brendshme. Këto janë parimet themelore për parandalimin e përhapjes së virusit”, theksoi

 Filipçe.

Filipçe: Do të shfrytëzohen kapacitetet dhe kuadri i spitaleve private

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se pasi qeveria të shpallë gjendjen e krizës, autoritetet do të mund të shfrytëzojnë edhe kapacitetet e spitaleve private dhe kuadrot që punojnë në këto institucione.

"Po do të kemi në dispozicion edhe kapacitetet e të gjitha spitaleve private, poliklinikave private si dhe kuadrin që punon në këto vende. Për shkurtim kohe do të bëjmë analizë me gjithçka që posedojmë, dhe së bashku me kapacitetet shtetërore do të realizojmë planin e punës”, deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Shpallja e gjendjes së krizës jep mundësi që Qendra për Menaxhimin e Krizave të drejtojë situatën duke formuar shtabe lokale në 80 komuna si dhe mundëson që shteti të marrë kompetenca për menaxhimin me të gjitha kapacitetet private dhe shtetërore në vend. Poashtu me shpalljen e gjendjes së krizës mundësohet që të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e disponueshme të ushtrisë dhe të policisë.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut