1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Votim i qetë dhe pa rregullësi të mëdha

15 Korrik 2020

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka informuar se deri në orën 17 për zgjedhjet e parakohshme parlamentare jehona e votuesve ka qenë 38.78 përqind.

Nord-Mazedonien Skopje | Parlamentwahlen
Fotografi: DW/P. Stojanovski

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka informuar se deri në orën 17 për zgjedhjet e parakohshme parlamentare jehona e votuesve ka qenë  703.597 qytetarë apo 38.78 për qind nga numri i përgjithshëm prej rreth 1.8 milion zgjedhësish. Gjithnjë sipas KSHZ-së pjesëmarrje më të lartë ka në njësinë e tretë zgjedhore prej 43,87 për qind, ndërsa më e ulët mbetet në njësinë e gjashtë zgjedhore prej 29 për qind.Në këtë njësi është numri më i madh i votuesve shqiptar.

Kryetari i KSHZ-së Oliver Derkovski ka thënë se janë regjistruar disa parregullsi të vogla, të cilat sipas tij janë tejkaluar dhe procesi zgjedhor ka vazhduar pa pengesa.

"Deri te KSHZ-ja kanë arritur disa ankesa lidhur me shkeljen e te drejtës zgjedhore dhe heshtjes zgjedhore. Vlerësojmë se këto parashtresa nuk ndikojnë në procesin zgjedhore. Problemet janë tejkaluar dhe në mbarë vendin procesi zgjedhor vazhdon normalisht”, është shpreh Derkovski.

Fotografi: DW/P. Stojanovski

Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani, ka raportuar për ndërprerje të vogël të votimit në vendvotimin në Llojan, ndërsa arsye ka qenë mosharmonizimi i numrave serikë të fletëvotimeve. Votimi më vonë ka vazhduar dhe është  zhvilluar pa ndërprerë.

Prokuroria dhe policia regjistrojnë parregullsitë

Prokuroria Themelore Publike përmes Komisionit për ndjekje të parregullsive eventuale në procesin zgjedhor raportoi për 10 raste për parregullsi zgjedhore. Prokuroria procesin zgjedhor deri me tani e vlerëson si të qetë pa numër të madh të parregullsive zgjedhore.Në prokuroritë themelore publike qytetarët kanë patur mundësi të paraqesin raste të veprës penale në lidhje me zgjedhjet dhe votimin.

Ministria e punëve të brendshme në Maqedoninë e Veriut raportoi se gjatë procesit zgjedhorë, brenda vendvotimeve dhe jashtë tyre, ka pasur disa parregullsi, duke përfunduar edhe në arrestimin e të dyshuarve. MPB-ja raportoi për përleshje, armëmbajtje dhe fotografim të fletës së votimi.

Pendarovski: Edhe në kohë pandemie kemi zgjedhje të ndershme

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka thënë se procesi i votimit është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe demokratike, duke uruar që kështu të vazhdojë deri në fund të ditës.Maqedonia e Veriut është në mesin e pak shteteve në botë që zhvillojnë zgjedhje në kushte të pandemisë.

"Sot duhet të jetë votimi transparent, i drejtë, demokratik dhe të gjithë personat e përfshirë në procesin zgjedhor duhet të mbrohen. Ju e dini, ne jemi një nga 5-6 vendet e para në botë që organizojnë zgjedhje në kohë të pandemisë”, ka deklaruar Pendarovski.

Liderët politikë me vlerësime pozitive për ditën e votimit

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka deklaruar se këto zgjedhje janë me rëndësi të veçantë ndonëse janë më ndryshe se të tjerat.

"Këto janë zgjedhje më ndryshe se të tjerat, por nuk janë më pak të rëndësishme. Shumë janë të rëndësishme përshkak se rezultati i këtyre zgjedhjeve përcakton pozitën dhe si do të arrijmë për katër vitet e ardhshme dhe gjithsesi, si do të jetë jeta e qytetarëve në katër vitet e ardhshme”,është shpreh Zaev.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti vlerson se vendi ka arritur shumë në procesin eurointegrues dhe se mandati i ardhshëm është shumë i rëndësishëm për rrugën drejt BE-së.

Fotografi: DW/P. Stojanovski

"Këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë , nëse mbyllëm deri tani procese shumë shumë të rëndësishme për vendin dhe rajonin, për paqen, stabilitetin dhe sigurinë, tani po hapim një faqe të re në historinë e këtij vendi”, është shprehur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ka thënë se sot është dita kur populli zëshëm flet dhe kur ripërtërirja fiton.

 "Populli masovikisht del në vendet e votimit dhe është i gatshëm për ndryshim të madh që do të ndodhë pikërisht më 15 korrik. Gjithçka që ndodhi ditëve të fundit, parregullsitë e shumta, do të lënë shenja serioze të cilat do të vërehen në gjithë procesin zgjedhor”, ka thënë Mickoski.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela vlerson se kjo ditë është me rëndësi të veçantë për proceset euro integruese.

"Është një ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit, është një ditë e rëndësishme për proceset eurointegruese. Unë iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin sa më masovikisht në votim sepse sot është dita kur fuqia është në dorë të qytetarit në dorë të votuesit, dhe jo në dorë të funksionarëve partiak të cilët ndoshta ua kanë sjellë shpirtin në maje të hundës qytetarëve”, është shprehur Sela.

Ambasadorja amerikane në Shkup Kate Byrnes përmes një shkrimi në Twitter, ka shprehur kënaqësinë e saj që qytetarët me sukses marin pjesë në një proces demokratik.Një ekip i ambasadës së SHBA-ve i bashkohet OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.

"Jam e kënaqur që i shoh qytetarët e këtij vendi si marin pjesë në një proces demokratik. Ekip i ambasadës së SHBA-ve i bashkangjiten OSBE-së, shoqërisë qytetare dhe vëzhguesve ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve, dhe do të jenë së bashku me ta”, ka shkruar ambasadorja amerikane Kate Byrnes.

Rezultatet e para preliminare nga votimi i 15 korrikut, KSHZ-ja pritet t'i kumtojë pas mesnatës.

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut