1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Maqedoni e Veriut: Zhvillohen zgjedhjet lokale

19 Tetor 2025

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale për 80 kryetarë komunash dhe për kryetar të qytetit të Skupit si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Një qendër votimi në Shkup, komisionerët elektoral ulur në tryezën e punës dhe përpara tyre janë vendosur kutitë e votimit.
Maqedoni e Veriut: Votimi për zgjedhjet lokale filloi të dielën (19.10.2025) në orën 07:00 të mëngjesit.Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Kandidatët për pushtetin lokal në Maqedoninë e Veriut janë propozuar nga gjithsej 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe votuesish, përkatësisht kandidatura të pavarura. Numrin më të madh të kandidatëve e ka qyteti i Shkupit me 16 kandidatë për kryetar komune dhe 19 lista për këshilltarë.

Votimi filloi të dielën (19.10.2025) në orën 07:00 të mëngjesit dhe sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) të gjitha vendvotimet janë të hapura dhe procesi është duke u zhvilluar pa pengesë. Qytetarët që shfrytëzuan të drejtën e votimit presin nga këto zgjedhje përmisim të mjedist jetësor.

Çfarë mendojnë votuesit?

"Të them të drejtën, deri tani kemi qenë të zhgënjyer prej këtyre zgjedhjeve dhe kësaj radhe e njëjta gjë vazhdon. Të shohim nëse do të bëhet më mirë, po të kishte qenë një listë e përbashkët e gjithë shqiptarëve, do të kishte qenë më mirë”,

"Gjithçka kanë premtuar por asnjëherë nuk i realizojnë ato premtime, vetëm genjejnë , jam e dëshpruar”,

"Të dy kandidatët në komunën tonë janë në moshë të shtyrë ndaj nuk pres ndonjë befasi për të mirë nga asnjëri, edhe gjatë fushatës në premtimet e tyre ishin të zbehtë”,

"Nuk do të votoj asnjë kandidat, sepse në komunën ku banoj ka vetëm kandidatë shqiptar ndërsa unë jam simpatizues i një partie maqedonase”,

"Le të fitojë më i mirë, ka shumë punë për t‘u bërë na mbyti papastërtia, infrastruktura rrugore është në mjerim, le të punojnë dhe mjaft me premtime boshe”, thonë qytetarët. 

Kondarko: Vetëm në dy vendvotime ka pasur pengesa teknike

Deri në orën 11 sipas të dhënave të KSHZ-së kanë votuar 9,38 për qind e votuesve.

"Nga gjithsej 3.474 vendvotime që janë hapur në mënyrë të rregullt dhe me kohë, votimi pa pajisje për identifikim biometrik po zhvillohet vetëm në dy vendvotime, një në Kumanovë dhe një në Shtip për arsye objektive dhe teknike. Këto janë faktorë objektivë teknikë dhe përbëjnë një përqindje të papërfillshme”, njoftoi kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor Boris Kondarko.

Denoncohen 20 shkelje të heshtjes zgjedhore

Gjatë heshtjes zgjedhore janë regjistruar 20 paraqitje për shkelje të heshtjes zgjedhore në Shkup, Kumanovë, Ohër, Manastirë, Strumicë dhe Veles. Pas masave të ndërmarra, 15 prej këtyre paraqitjeve nuk janë konfirmuar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski ka informuar se mbi 90 përqind e kapaciteteve të Ministrisë së Brendshme janë të angazhuara në sigurimin e procesit zgjedhor, me një prani të shtuar në terren, veçanërisht rreth "pikave të nxehta” ku pritet një frekuencë më e lartë e qytetarëve. Sipas ministrit Tashkovski janë regjistruar edhe 47 postime në rrjetet sociale gjatë heshtjes zgjedhore, të cilat kanë të bëjnë me thirrje për të votuar për kandidatë të caktuar, si dhe video dhe fotografi të aktiviteteve partiake nëpër shtabe.

Monitorimi i votimeve

KSHZ-ja ka dhënë akreditime për ndjekjen e zgjedhjeve për 807 monitorues vendas dhe 644 monitorues ndërkombëtarë. ODIHR-ja është me më shumë montiorues të akredituar.

"Vëzhguesit tanë ndjekin një format standard dhe përderisa jemi këtu, i shikojmë të gjitha aspektet e zgjedhjeve nga lista zgjedhore, regjistrimi i kandidatëve, fushata, aktivitetet e fushatës edhe në terren, edhe online, monitorimi i mediave është gjithashtu një komponent shumë i rëndësishëm i punës sonë” ka deklaroi Mateo Mekaçi Shef i misionit të OSBE-ODIHR-së për monitorimin e zgjedhjeve lokale.

Rezultatet e para të zgjedhjeve lokale KSHZ duhet t'i shpallë brenda 12 orëve pas mbydhjes së qendrave të votimit, ndërsa raundi i dytë është caktuar për 2 nëntor.

 

Fatos Musliu Korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW