1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Emrat e kandidatëve për president „sekret“

Fatos Musliu21 Shkurt 2014

Emrat e kandidatëve ende nuk dihen, dhe as nëse krahas zgjedhjeve presidenciale do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Fotografi: MAKFAX

Një javë para skadimit të afatit ligjor për nominimin e kandidatëve të mundshëm për president partitë politike në Maqedoni ende nuk i bëjnë publike emrat e kandidatëve për president. Vonesa e publikimit të emrave arsyetohet me mbajtjen e konventave dhe kongreseve të partisë, por edhe me faktin se ende nuk dihet, nëse krahas zgjedhjeve presidenciale do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Thirrje publike për kandidat të mundshëm për president

Partitë e mëdha politike në Maqedoni vazhdojnë të taktizojnë me shpalljen e emrave të kandidatëve të mundshëm për president të shtetit. Një javë para mbylljes së afatit ligjor për nominimin e kandidatëve katër partitë më të mëdha në vend, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH, ende nuk kanë nominuar kandidatët e tyre për president. Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, kandidatin e saj për president do ta promovojë në konventën e partisë të caktuar për 1 mars. Për të fituar të drejtën e nominimit në këtë parti për kandidat për president, kandidati duhet të jetë anëtar i VMRO-DPMNE-së, ose përkrahës i politikave të kësaj partie, thotë Ilija Dimovski, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE.

“Kjo mënyrë e zgjedhjes së kandidaturës do të bëhet në një proces të hapur dhe demokratik. Ky është një standard i lartë politik, thirrja për konventë është një praktikë e vjetër e VMRO-DPMNE-së“, shprehet Dimovski. Në opinion jozyrtarisht si kandidat të mundshëm për president nga kjo parti përmendet emri i presidentit aktual Gjeorgje Ivanov dhe i profesorëve universitarë Jovan Kekenovski dhe Vllado Popovski.

Profesor Vlado PopovskiFotografi: Petr Stojanovski

BDI edhe më tej mbështet idenë e presidentit konsesual

Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet në qëndrimin se Maqedonia duhet të ketë një president konsensual, i cili do të kishte legjitimitetin e shqiptarëve dhe maqedonasve. Në rast të refuzimit të kësaj kërkese, BDI nuk përjashton mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve. Ideja për president konsensual është në dobi të të gjithë qytetarëve, thotë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

“Ideja jonë mbetet e betonuar, asaj i shtohet edhe çelik, që e bën idenë edhe më të rezistueshme. Ideja për kandidat konsensual është shumë fisnike dhe ne dobi të të gjithë qytetarëve. Me këtë ne u japim fund akrobacive politike, apo të gjitha atyre marrëveshjeve politike, që bëhen në zgjedhjen e presidentit të raundin e dytë”, shprehet kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

LSDM në Kongres zgjedh kandidatin për president

Partia opozitare maqedonase Lidhja Socialdemokrate, kandidatin e saj për president do ta zgjedhë në kongresin partiak, ndërsa për momentin ata janë të përqëndruar në përgatitjen e rregullores për mënyrën dhe kriteret e zgjedhjes së kandidatit.

“Në këtë fazë jemi duke grumbulluar propozimet e komiteteve komunale për kandidatët e mundshëm. Kjo mënyrë mundëson kandidimin e më shumë kandidatëve. Të gjitha propozimet do të shqyrtohen nga këshilli qëndror i partisë dhe në kongres do të dilet me më së shumti 3 emra të kandidatëve të mundshëm”, thotë Oliver Spasovski, shef i Shtabit zgjedhor të LSDM-së për zgjedhjet presidenciale.

Opozita shqiptare pa qëndrim për zgjedhjet presidenciale

Partia opozitare shqiptare PDSH ende nuk ka qëndrim të prerë se a do të ketë kandidat të mundshëm për president. Lideri i opozitës shqiptare Menduh Thaçi ka kërkuar nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti, të tregojë publikisht se a do të bojkotojë zgjedhjet presidenciale. Kur BDI të dalë me një qëndrim konkret, atëherë edhe PDSH do të prononcohet, se si do të veprojë.

kryetari i BDI-së Ali AhmetiFotografi: DW/S.Padori-Klenke

“Kam vendosur të kërkoj direkt prej zotit Ahmetit, që të del me qëndrim „A do t'i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale BDI-ja“ dhe pastaj do ta dëgjojnë qëndrimin e PDSH-së. Përfundimisht duhet sqaruar para publikut, se kandidati konsensual, që e përmend Ahmeti, është maqedonas, nuk ka të bëjë me shqiptarët dhe duhet pasur një qëndrim të vërtetë politik nga ana e tyre”, thotë lideri I PDSH-së Menduh Thaçi.

Kandidatët e pavarur grumbullojnë nënshkrime

Derisa partitë e mëdha ende kalkulojnë me emrat e kandidatëve të mundshëm për president, kandidatët e pavarur kanë filluar me grumbullimin e 10 mijë nënshkrimeve, që është kusht për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve presidenciale. Zoran Popovski nga Alternativa Qytetare për Ripërtëritjen e Maqedonisë, Stojanço Angellov nga Partia e Dinjitetit dhe profesoresha universitare Biliana Vankovska, janë 3 kandidatët e pavarur, që zyrtarisht kanë filluar procesin e kandidimit për president.

Votuesit meritojnë te dinë më herët emrat e kandidatëve

Analistët politikë thonë se në përgjithësi partitë tregohen jokorrekte ndaj elektoratit duke publikuar emrat e kandidatëve në prag të fillimit të fushatës.

“Partitë serioze duhet në kohë të jenë të përgatitura për çfarëdo lloj zgjedhjesh, qofshin ato presidenciale, apo parlamentare. Votuesit kanë nevojë që të përcaktohen për kandidatët shumë më herët dhe jo të marrë informata për cilësinë e kandidatit vetëm gjatë fushatës zgjedhore. Duhet të bëhen edhe ndryshime në kodin zgjedhor, që afati i kandidaturave për president të jetë minimum 6 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve”, thotë analisti Ismet Ramadani.

Për analistin Goran Iliç vonesa e publikimit të emrave të kandidatëve për president ndodh për shkak se në Maqedoni ende nuk dihet, nëse krahas zgjedhjeve presidenciale do të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Partitë taktizojnë, meqë kandidati i mundshëm për president mund të jetë edhe bartës i listës zgjedhore, nëse do të mbaheshin edhe zgjedhjet parlamentare.

“Tek ne gjithçka bëhet në moment të fundit, partitë taktizojnë, manipulojnë, por ato duhet të kenë konsideratë edhe ndaj votuesit, sepse në fund nga vullneti i tyre varet edhe zgjedhja e presidentit”, thotë Iliç.

Në Maqedoni janë shtuar zërat se deri më 3 mars do të shpallen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbaheshin paralelisht me zgjedhjet presidenciale.