1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Lufta për të mbajtur gjallë marrëveshjen për emrin

15 Tetor 2018

Parlamenti i Maqedonisë të hënën (15.10) nisi debatin për votimin e Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të vendit, të arritur pas më shumë se dy dekadash negociata të ndërmjetësuara nga OKB-ja.

Mazedonien Parlament in Skopje | Namensstreit mit Griechenland
Fotografi: picture-alliance/Anadolu Agency/B. Ademi

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev përballet me një betejë të vështirë për të siguruar numrin e nevojshëm të votave për të ndryshuar emrin e Maqedonisë në Maqedoninë e Veriut, që do të hapte rrugën e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Koalicioni socialdemokrat i mbështetur nga partitë përfaqësuese të shqiptarëve, duhet të sigurojë në parlamentin maqedonas një duzinë më shumë votash që të arrihet shumica e kërkuar prej dy të tretave për të ratifikuar marrëveshjen me Greqinë. Vështirësia qëndron në bërjen për vete të disa deputëteve të krahut të djathtë politik, të partisë VMRO-DPMNE, të cilët i mbeten besnik qëndrimit të tyre për të kundërshtuar ndryshimin e emrit. Ata e bojkotuan referendumin e zhvilluar më 30 Shtator.

Zgjedhjet e parakohshme nuk përjashtohen

Debati parlamentar mund të zgjasë deri në 10 ditë. Kryeministri, Zoran Zaev u shpreh, se nëse nuk arrihet numri i nevojshëm i votave, me shumë gjasë ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. "Neve definitivisht do të na mungojnë votat, kjo nënkupton zgjedhje", tha një funksionar i lartë i qeverisë për agjencinë e lajmeve, AFP.

Fotografi: Reuters/V. Kessler

Konservatorët e VMRO-DPMNE kanë lëshuar sinjale të qarta bllokimi në parlament. Trajko Veljanovski, një deputet i kësaj partie tha se "nuk ka për të pasur një shumicë prej dy të tretave për këtë çështje, as mos e shpresoni." Ndërsa një tjetër deputet i kësaj partie, Ilija Dimvsko është më i kujdesshëm në deklaratat e tij. "Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë, por VMRO-DPMNE ose shumica e saj janë kundër mbështetjes së marrëveshjes."

Optimizëm i kujdesshëm

Optimist lidhur me kalimin e marrëveshjes në parlament është shprehur eksperti i Europës Juglindore, Florian Bieber nga Universiteti i Gracit, Austri. "Ende është e mundur që partitë pro-marrëveshjes dhe kandidatët të mund të fitojnë një shumicë prej dy të tretash dhe ta ratifikojnë marrëveshjen" , i tha Prof. Florian Bieber, AFP-së. "Vetëm, nëse kjo dështon, marrëveshja mund të ketë marrë fund ose të paktën do të shtyhet në kohë."

Eksperti Florian BieberFotografi: privat

Presion kohor për kalimin e marrëveshjes, ka edhe për një arsye tjetër. Në Greqi vitin e ardhshëm zhvillohen zgjedhje parlamentare dhe nuk përjashtohet ndryshimi i pushtetit. Partia e krahut të djathtë në Greqi është një kundërshtare e marrëveshjes së emrit me Maqedoninë. Prandaj kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka paralajmëruar nga "një shans që nuk do të përsëritet."

 

 

la/vfb (afp)