1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Qeveria e re do të përqëndrohet në reformat ekonomike

Fatos Musliu15 Gusht 2006

Kryeministri Gruevski i dorëzon parlamentit programin e ri qeveritar i cili duhet të aprovohet brenda dhjetë ditëve

Fotografi: AP

Mandatari Nikolla Gruevski, pas publikimit të përbërjes së Qeverisë ka dorëzuar në Parlament programin qeveritar, për të cilin deputetët duhet të deklarohen brenda 10 ditëve. Qeveria merr besimin me shumicë votash. Koalicioni qeveritar i përbërë nga pesë parti politike, ka siguruar 65 mandate deputetësh. Në vlerësimet e para të përbërjes së Qeverisë, mediat kanë veçuar fillimisht moshën tejet te re të ministrave. Mandatari Gruevski, në deklaratën e tijë të parë ka theksuar se pikërisht mosha e re e ministrave do t'i mundësojë atyre që të jenë të pakompromis në luftën kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar.

“Qeveria do të përqëndrohet në reformat ekonomike, kjo nuk do të jetë as e lehtë e as shpejtë. Mirëpo me një angazhim dhe qasje serioze ndaj punës ne do ta drejtojmë Maqedoninë në kahjen e duhur, e ajo është integrimi i vëndit në strukturat euroatlantike,” ka deklaruar mandatari Nikolla Gruevski.

Ekspertë ekonomikë vlerësojnë se përcaktimet e VMRO-DPMN-es për reforma të menjëhershme ekonomike, reflektohen në përbërjen e qeverisë, sepse katër poste të saj i dedikohen kësaj çështjeje, që nuk ka qenë praktik e qeverive të mëparshme.

Abdylmenaf Bexheti, dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Evropës juglindore në Tetovë, thotë për Dojçce Wellen se sipas të gjitha objektivave dhe caqeve të paracaktuara në programin e manifestit ekonomik, mandatari ka mbajtur prioritetet të caktuara edhe në konstituimin e strukturës personale dhe kapacitetin profesional të Qeverise, së paku në dikasteret që janë tipike ekonomike.

“Mendoj që identifikimi i disa ekspertëve të cilët tani më kanë një përvojë ndërkombëtare me eksperiencë për motivimin e investimeve të huaja është një parakusht , por kjo nuk është një garancë megjithate se dy persona mundë të krijojnë institucione të caktuara dhe ndërtim të ekonomisë institucionale, që ta përmisojnë ambientin e bisnesit mbi të gjitha i cili është tejet i dobësuar në Maqedoni “-deklaron profesor Abdylmenaf Bexheti.

Gjithnjë sipas tij, mandatari ka plotësuar disa parakushte për sa i përket përbërjes personale, kurse sfidë e Qeverisë mbetet gjithsesi ndërtimi i të ashtuquajturës ekonomi institucionale e cila mund të konsiderohet si fitimprurëse në Maqedoni.

Profesor Bexheti thotë se nuk mund të prejudikohet se si do të jenë rezultatet e Qeverisë, për këtë duhet të priten 100 ditët e para të qeverisjes. Por ajo që duhet theksuar, thot Abdylmenaf Bexheti është se në krijimin e qeverisë , në dikasteret e ekonomisë, ka një harmonizim të caktuar dhe mbajtje të një përgjegjësie të kryeministrit.