1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni- Shqipëri: Së shpejti kalim kufiri vetëm me letërnjoftim

9 Nëntor 2011

Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore që karakterizohen me dialog intensiv politik. Kështu konkludojnë kryeministrat e dy vendeve fqinje, Shqipërisë e Maqedonisë, Berisha e Gruevski.

Sali Berisha dhe Nikolla Gruevski
Sali Berisha dhe Nikolla GruevskiFotografi: MIA

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski dhe homologu i tij shqiptar Sali Berisha, i cili ka qëndruar në vizitë zyrtare në Maqedoni, kanë rënë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik e në veçanti për projektet infrastrukturore dhe të atyre që kanë të bëjnë me zhvillimin e bashkëpunimit rajonal.

Qytetarët e Maqedonisë dhe Shqipërisë së shpejti do të mund të kalojnë vendkalimet kufitare midis dy vendeve vetëm me letër njoftime biometrike. Këtë e mundëson nënshkrimi i marrëveshjes midis dy qeverive. “Së shpejti do të fillojë kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim, do të shqyrtojmë infrastrukturën doganore për ta bërë atë më të lehtë, do të bëjmë gjithçka që potencialet turistike të vendeve tona të vihen në dispozicion të turistëve nga vendet tona dhe nga mbarë bota,”është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Dy kryeministrat do të angazhohen edhe për thjeshtësimin e kontrolleve kufitare në vetëm një pikë të vetme kufitare. Maqedonia do të vazhdojë të përkrah çdo bashkëpunim rajonal që ndihmon proceset eurointegruese.

“Të gjitha çështjet e hapura në rajon mund të tejkalohen me dialog dhe konstruktivitet të ndërsjellë, e gjitha kjo në frymën e bashkëpunimit evropian dhe fqinjësisë së mirë,” ka theksuar kryeministri Nikolla Gruevski.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi