1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Stop drogës në shkollë

11 Maj 2009

Institucionet shkollore në Maqedoni kanë vlerësuar se mosha e përdoruesve të drogave është duke rënë gjithnjë e më shumë. Alarmi është dhënë sepse janë evidentuar raste të përdorimit në shkollat fillore.

Shkollë, Maqedoni
"Niko Nestor" ist eine Schule in Struga, Mazedonien***Bildzulieferer: Aleksandra Trajkovska Nga institucionet kompetente është ngritur zëri i alarmit, sepse mosha e përdoruesve të lëndëve narkotike është në rënie e sipër.Fotografi: Petr Stojanovski

Ganxha, gras, barri, horsë, mielli i bardhë, janë vetëm disa nga emërtimet që të rinjtë në Maqedoni, përdorin për lëndët narkotike. Mbi 10 mijë përdoruesve të evidentuar të drogave në Maqedoni, i shtohen pothuajse çdo vit 450 përdorues të rinj. Nga institucionet kompetente është ngritur zëri i alarmit, sepse mosha e përdoruesve të lëndëve narkotike është në rënie e sipër. Sociologët, por edhe inspektorët e policisë thonë, se ka raste të evidentuara tek nxënës të moshës 11-12 vjeçare.

Nuk është vështirë të zbulohen nxënësit që përdorin drogë. “Ndryshimet e shpeshta të disponimit, humbja e dëshirës për mësim, mungesa në orët e mësimit, agresiviteti, gënjeshtrat e shpeshtuara, janë simptomat të cilat na bëjnë të dyshojmë, se ndonjë nxënës është përdorues eventual i lëndëve narkotike ”, thotë sociologia Burbuqe Hasani.

Në shkollat e mesme është realizuar projekti “Ndal (Stop) drogës në shkollë”. Në ligjëratat e mbajtura është konstatuar, se preventiva më e sigurt për ruajtjen e nxënësve nga përdorimi i drogës është prindi. “E veçanta e këtyre ligjëratave është, që në to përveç nxënësve dhe profesorëve kanë qenë të pranishëm edhe prindër. Nuk mund të them me siguri nëse në shkollën time përdoret droga. Por, kam dëgjuar se në banjo janë gjetur gjilpëra, të cilat kanë mundësi të jenë përdorur nga nxënësit,” thotë Visar Aliu, nxënës i shkollës së mesme.

Në shkollat e mesme është realizuar projekti "Ndal drogës në shkollë”.Fotografi: Nikos Pilos

Por jo vetëm në shkollë, grupmoshat e reja janë të rrezikuara nga droga edhe në lagjet ku jetojnë. Adem Kamberi është nxënës: “Në lagjen ku jetoj, unë me shokët ikim nga ata, ata rinë gjithmonë vetëm, të izoluar, nuk luajnë me ne futboll, dalin jashtë natën dhe nuk vinë me ne në qytet”.

Idriz Mexhiti, Drejtori i spitalit psikiatrik, ku trajtohen narkomanët thotë se në spital jepet vetëm terapia, por nuk bëhet shërimi. “Ne kemi hapur një qender ditore ku bëhet trajtimi i narkomanisë, dmth klientëve, shfrytëzuesve të narkotikëve. Esencialisht nuk bëhet shërimi, por zëvendësimi substitucioni, i mjeteve narkotike me metadon,” thotë drejtori i spitalit, Idriz Mexhiti. Sipas tij, familja e në veçanti prindi, mund të jetë mbrojtja më e sigurt për grupmoshat e reja, që të jenë sa më larg drogave të ndryshme.

Sociologia Burbuqe Hasani u bën thirrje prindërve që të jenë më syhapur për shoqërinë me të cilët kontakton fëmija i tyre. “Shpërndarësit e drogave kanë depërtuar edhe në majat më të larta, ata jo që i helmojnë fëmijët, por për profit rrezikojnë edhe profesionet e tyre, imazhin e shtetit. Këtu e kam fjalën për arrestimin e paradokohshëm të sekretarit të ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni. Paramendoni të kapet një diplomat me 6o koligram drogë. Është turp," thotë sociologia, Burbuqe Hasani.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama