1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia angazhohet për zgjidhjen e problemit të pensioneve nga Gjermania

16 Shkurt 2011

Marrëveshja gjermano-maqedonase për sigurim social parashikon që qytetarët nga Maqedonia që kanë punuar në Gjermani të kenë mundësin e shfrytëzimit të pensionit. Në Shkup këto ditë qëndruan ekspertë nga Gjermania.

Pensionistët dorë për dore.Fotografi: AP

Fondi shtetëror pensional i Gjermanisë në bashkëpunim me Fondin pensional të Maqedonisë kanë organizuar këshillimore dyditore në Shkup, në të cilën qytetarëve nga Maqedonia të cilët kanë punuar në Gjermani iu janë dhënë informata dhe ndihmë juridike për të fituar të drejtën e shfrytëzimit të pensionit. Maqedonia dhe Gjermania kanë nëshkruar marrëveshje për sigurim social e cila ka hyrë në fuqi nga 1 Janari i vitit 2005. Kjo marrëveshje u imponua si e domosdoshme sepse një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Prandaj ekziston edhe interesimi i madh për të fituar të drejtën e sigurimit social, të drejtën e pensionit, sigurimin shëndetësor, shtësat e fëmijëve, sigurimin në rast të papunësisë dhe të drejtat që u takojnë punëtorëve gjatë lëndimit në vendin e punës, thotë Irena Ristevska udhëheqëse e sektorit për sigurim pensional pranë Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale .

Qytetarët e kënaqur

“Qytetarët që kanë punuar në Gjermani mirpritën këshillat nga ekspertët gjerman.Gjatë mbajtjes së këshillimores janë zgjidhur edhe probleme konkrete dhe janë parashtruar pyetje ku dominonin ato për verifikimin e përvojës së punës në Gjermani, procedurat e kthimit të kontributeve në fondin pensional të Gjermanisë dhe të drejtat për mënyrën e pagesës së pensionit gjerman”, ka thënë Irena Ristevska.

Fotografi: BilderBox

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nga Maqedonia që kanë punuar në Gjermani në periudha të ndryshme kohore për arsye të ndryshme ose neglizhencës, nuk kanë aplikuar për të fituar të drejtën e shfrytëzimit të pensionit nga shteti gjerman. Kara Sabljakoviq nga Fondi pensional i Gjermanisë thotë se fondet e të dyja vendeve tani më aplikojnë procedurën në bazë të së cilës rregullohet e drejta e pensioneve gjermane nga qytetarët e Maqedonisë që më parë kanë punuar në shtetin gjerman.

“Kushti më kryesor është se nëse ke përvojë të mjaftueshme e kombinuar në Gjermani dhe Maqedoni, që do të thotë 35 vite sipas ligjit gjerman, fitoni të drejtën e pensionit me 63 vjet moshë. Nëse nuk keni përvojë të mjaftueshme pune atëherë duhet të pritni deri në 65 vite ose më tepër”,thotë Kara Sabljakoviq.

Llogaritja e pensioneve

Ekspertja nga Fondi pensional i Gjermanisë Biljana Capiq ka sqaruar se pensionet llogariten në pajtueshmëri me kushtet e Gjermanisë. Merret rroga mesatare e Gjermanisë prej 30 mijë euro në vit dhe nga kjo shumë ndahen 27 euro për pension mujor për një vit përvojë pune në Gjermani. Kjo do të thotë se nëse ndonjë qytetar ka punuar dy vite dhe për atë kohë ka fituar rrogën mesatare gjermane do ta ketë pensionin në vlerë prej 54 euro në muaj.

“Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve tani më posedojnë dokumentacionin dhe evidencën për përvojën e punës. Ka edhe të tillë që u mungon evidenca apo dokumenti për ndonjë periudhë kohore, mirëpo edhe kjo situatë ka zgjidhje. Kjo shumë lehtë mund të verifikohet në entin gjerman”, shprehet ekspertja gjermane Biljana Capiq.

Fotografi: picture alliance/dpa

Numri më i madh i qytetarëve të cilët ishin pjesëmarrës në këshillimore ishin punëtorë fizik, të cilët me vite të tëra kanë punuar në fabrika dhe ndërtimtarinë gjermane.

Të gjithë qytetarët e interesur nga Maqedonia pyetjet për sigurim social mund t'i parashtrojnë në Fondin pensional të Maqedonisë, i cili është kompetent për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me fitimin e të drejtës për sigurim pensional, shpjegon Irena Ristevska. Në kuadër të bashkëpunimit të qyteteve të binjakëzuara të Shkupit dhe Nyrembergut është paralajmëruar hapja e zyrës në Shkup, ku qytetarët e Maqedonisë do të mund t'i marrin informatat e nevojshme dhe të aplikojnë për beneficionet pensionale gjermane.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Bahri Cani