1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia burim, tranzit dhe destinacion trafikimi

22 Qershor 2010

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka rradhitur Maqedoninë në vendet me rrezik të lartë në trafikimin e qënieve njerëzore. Maqedonia është burim, tranzit dhe destinacion për femra dhe fëmijë, subjekte të trafikimit.

Maqedonia vend trafikimi qëniesh njerëzore
Maqedonia vend trafikimi qëniesh njerëzore

Në raportin vjetor për trafikimin e qënieve njerëzore theksohet se qeveria e Maqedonisë nuk ka vepruar në pajtueshmëri të plotë me minimumin e standardeve për eliminimin e trafikimit, prandaj Maqedonisë i rekomandohet që të hetojë dhe të ndjekë më ashpër trafikantët.

Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski, thotë se vërejtjet janë kuptuar seriozisht, se do të bëhen përpjekje që në të ardhmen dhe mundësisht sa më shpejtë të korrigjohen të paktën ato vërejtje, që kanë të bëjnë me punën e policisë. “Për të gjitha rastet e trafikimit me qënie njerëzore për të cilat janë siguruar dëshmi kemi ngritur aktpadi penale, luftimi i kësaj dukurie do të jetë i pakompromis. Kemi një rast kur edhe një i punësuar në polici është nën hetime, sepse dyshohet se është përzier në organizimin e tregtisë me qënie njerëzore,“ ka deklaruar Ivo Kotevski.

Në Maqedoni, baret e natës, agjensitë e biznesit dhe shtëpitë publike, janë lokacionet më të shpeshta ku zbulohen viktima nga tregtia me njerëz, thotë kriminologu Dushko Stojanovski. “Ky krim është fitimprurës prandaj rrjeti dhe shtrirja i tij mbahet në sekret të madh. Ai ekziston edhe në Maqedoni, është vështirë të çrrënjoset në tërësi por duhet të goditet në vazhdimësi,” thotë Stojanovski.

Për parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore kërkohet bashkëpunim më i ngushtë me OJQ-të dhe faktorët e tjerë për të zbatuar sa më mirë strategjinë kombëtare për riintegrim dhe rehabilitim të viktimave të trafikimi.

Fotografi: AP

Maja Varoshlija është përfqësuese e OJQ-së “Porta e hapur”. Deri më tani kjo organizatë është përkujdesur për rehabilitimin e 58 viktimave nga trafikimi me qënie njerëzore. “Në vazhdimësi negocijojmë me institucionet qeveritare për fillimin e një partneriteti për të përmirësuar mbrojtjen e viktimave nga tregtia me njerëz. Por jo çdo herë hasim në mirëkuptim,“ thotë Maja Varoshlija.

Niveli lokal i rëndësishëm

Nga Komiteti i Helsinkit vlerësojnë se si preventivë për të luftuar tregtinë me njerëz rol të rëndësishëm mund të luajë edhe informimi në nivel lokal. “E tërë drama me tregtinë me njerëz zhvillohet në plan lokal, aktorë kryesorë janë banorët lokalë, ata ndonjëherë nuk janë të vetëdijshëm se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar. Në Maqedoni në planin lokal pothuajse nuk ekzistojnë aksione preventive,” thotë Strasho Angeleski, nga Komiteti i Helsinkit për Maqedoninë.

Ndërkaq, në vitin 2009 në Maqedoni janë arrestuar 18 persona të dyshuar për trafikimin e qënieve njerëzore. OJQ-të kërkojnë efektivitet më të madh të organeve gjyqësore në gjykimin dhe dënimin e persona të lidhur me tregtinë me qënie njerëzore.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama