Maqedonia e Veriut: Artan Grubi në pranga
23 Shkurt 2026
Duke konfirmuar lajmin Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit Publik. Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si "Lotaria Shtetërore”. Në këtë rast është i përfshirë edhe Përparim Bajrami ish-drejtor i Lotarisë Shtetërore, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar. Prokurorët dyshojnë se Grubi dhe Bajrami kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).
Artan Grubi është futur në dhjetor të vitit të kaluar edhe në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit për përfshirje në korrupsion, për ndërhyrje politike dhe përpjekje për të mashtruar gjyqësorin.
Reagimet e partive politike
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e vlerësoi pozitivisht vendimin e Artan Grubit për t'u kthyer në vend, duke krijuar kështu mundësinë që permes një procedure transparente, të drejtë dhe të paanshme të paraqiten të gjitha argumentet në dispozicion dhe të sqarohen të gjitha çështjet. "Presim që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit, para së gjithash, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik e mbi të gjitha, me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe të lirive individuale”.
BDI mbetet e palëkundur në qëndrimin se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa selektivitet, pa standarde të dyfishta dhe pa ndikime politike. Duke marrë parasysh interesin e lartë politik dhe publik për këtë rast, partia do ta ndjekë me kujdes procesin në të gjitha fazat e tij, thuhet në reagimin e BDI-së.
VLEN: Grubi do të përballet me mëkatet e veta
Koalicioni VLEN ka reaguar përmes komunikatës për zhvillimet e fundit lidhur me ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, i cili sot iu dorëzua autoriteteve në vend. VLEN e cilëson Grubin si "kutinë e zezë të qeverisjes së BDI-së”.
"Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta, thuhet në reagimin e koalicioni VLEN.
LSDM: Qeveria po mundohet të mbulojë skandalet qeveritare
Për socialdemokratët opozitarë LSDM, ndalimi i Artan Grubit në pikën kufitare "Ballcë” është një shfaqje teatrale e realizuar në regji të VMRO-DPMNE-së. Qytetarët nuk do të marrin përgjigje për skandalet, por do të ndjekin një lojë teatrale, sepse përmes rastit të Grubit, pushteti po mundohet të mbulojë skandalet e qeverisë.
"Kushdo që e ka shkelur ligjin, duhet të përgjigjet. BDI po shpëton Mickoskin, i ka hedhur gomën e shpëtimit. Pas teatrit të sotëm në kufirin e Maqedonisë, tashmë të gjithë e kanë të qartë se arratisja e Artan Grubit ishte marrëveshje politike. Ashtu siç u morën vesh që ta lëshojnë, tani u morën vesh që të kthehet”, thotë LSDM-ja.