1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia e Veriut e gatshme të pranojë refugjatë afganë

16 Gusht 2021

Maqedonia e Veriut ka informuar SHBA për gatishmërinë për pranimin e refugjatëve afganë. Ndërkohë vazhdon procesi i evakuiimit nga Afganistani.

Nordmazedonien Premierminister Zoran Zaev
Fotografi: Government of North Macedonia

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se i kishte informuar SHBA se qeveria e Shkupit është në dispozicion për të ndihmuar me refugjatët nga Afganistani.

"Afganistani po përballet me një katastrofë të mundshme humanitare dhe kjo është arsyeja për të cilën ne, si qeveri, i kemi informuar partnerët tanë strategjikë SHBA-të se jemi në dispozicion për të ndihmuar në përputhje me aftësitë dhe nevojat tona. Për të shpëtuar jetët e popullatës lokale, informuam se jemi të gatshëm të marrim përsipër dhe të pranojmë popullatën civile të Afganistanit që ka punuar për paqen në atë vend gjatë 20 viteve të fundit e që  ishte mbështetje lokale për forcat aleate të NATO-s, përfshirë edhe ushtrinë tonë”, ka thënë Zaevi.

110 qytetarë nga RMV të bllokuar në Kabul

Fotografi: Wakil Kohsar/AFP/Getty Images

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me SHBA-në si dhe aleatët e tjerë të NATO-s u bën thirrje palëve në Afganistan që të mundësojnë largimin e të huajve nga shteti.

"MPJ u bën thirrje të gjitha palëve në Afganistan ta respektojnë dhe ta mundësojnë largimin e sigurtë nga vendi për shtetasit e huaj, të cilët për momentin ndodhen atje, si dhe për banorët e Afganistanit të cilët dëshirojnë të largohen nga vendi ”, thuhet në kumtesën e lëshuar të MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme më tej thekson se vazhdon me kujdes ta ndjekë situatën në Afganistan dhe të ndërmarrë hapa drejt mbrojtjes së shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët gjenden në territorin e Avganistanit.

Osmani : Shtetasit tanë në Kabul janë të sigurtë, drejt evakuimit

Pas përkeqësimit të situatës në Afganistan, MPJ e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë aktivitete për mbrojtjen e shtetasve të RMV në Kabul. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani u njoftoi mediave se shteti nuk ka përfaqësues në Kabul dhe se qytetarët, të cilët janë me punë në Kabul, janë në proces të evakuimit. Për këtë, ai tashmë ka realizuar kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqisë dhe Katarit.

"50 shtetas tanë tanimë janë përgatitur për të fluturuar nga aeroporti i Kabulit drejt Doha-s, 25 prej tyre janë në terminal, pak para fluturimit me ushtrinë amerikane. 25 të tjerët do të presin fluturimin e radhës dhe për momentin janë duke u regjistruar”, ka deklaruar ministri i punëve të jashtme të RMV-së Bujar Osmani.

Sipas tij, RMV që nga korriku e ka tërhequr personelin e saj ushtarak, diplomatik e civil, që do të thotë se Maqedonia e Veriut për momentin nuk ka përfaqësues në Afganistan. Fillimisht, thotë Osmani, kemi vënë kontakt me kompanitë që kanë marrëveshje me qytetarët tanë, që i kanë angazhuar për punë dhe jemi në koordinim me ata. Kemi bërë kërkesë edhe te shtetet që kanë përfaqësi në Afganistan që të bëjnë asistencë në evakuimin e qytetarëve tanë.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut