1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia e Veriut me qeveri të re

31 Gusht 2020

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të dielën në mesnatë me shumicë votash 62 pro dhe 51 kundër ka votuar programin dhe përbërjen e re të qeverisë së koalicionit.

Nordmazedonien Skopje Neues Kabinett
Fotografi: picture-alliance/AA/A.Fazlagikj

Maqedonia e Veriut ka tani qeverinë e re. Të dielën në mesnatë me shumicë votash 62 pro dhe 51 kundër, Kuvendi votoi programin dhe përbërjen e re të qeverisë së koalicionit që do të drejtohet nga Zoran Zaev kryetari i LSDM-së, parti e cila do të udhëheqë me nëntë ministri. Pjesë e qeverisë janë Bashkimi Demokratik për Integrim me gjashtë dikastere ministrore, Lëvizja Besa, dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Zaev: Jemi para një periudhe të evropianizimit të Maqedonisë

Kryeministri Zoran Zaev u shpreh, se qeveria e re do të angazhohet për arsim evropian, shëndetësi më cilësore për një sistem evropian të drejtësisë. Para nesh është një periudhë stabile politike ndaj Maqedonia e Veriut do të jetë një vend me institucione, me të cilat do të krenohet çdo qytetar, ka thënë Zaev. Sipas Zoran ZEv, prioritet do të ketë përballja me pandeminë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, hapja e negociatave me BE-në, reformar në administratë e gjyqësor si dhe zhvillimi ekonomik, por edhe raportet e mira me vendet fqinje.

"Do të angazhohemi për ndërtimin e shtetit demokratik, përballjen me pandeminë, ngritjen e ekonomisë. Do të luftojmë fuqishëm krimin dhe korrupsionin. Jemi të angazhuar me forcimin e shtetit ligjor, sundimin e ligjit, të kemi gjyqësi të pavarur dhe administratë efikase", ka deklaruar Zaev. Ai i ka bërë thirje opozitës për bashkëpunim për të gjitha çështjet strategjike të vendit, meqë ky bashkëpunim do të ishte në të mirë për të gjithë qytetarët.

Fotografi: DW/F. Musliu

Debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës

Debati dy ditor në Kuvend për votimin e qeverisë së re është karakterizuar me debate tejet të ashpra e në shumë raste edhe ofenduese midis deputetëve të pozitës dhe opozitës. Deputetët e opozitës kanë thënë se qeveria e re nuk do të dallojë nga e kaluara, duke e akuzuar LSDM për rrënimin e shtetit, të ekonomisë, rritjen e krimit dhe të korrupsionit, por edhe siç thanë për "tradhëti kombëtare”, duke përmendur ndërrimin e emrit të shtetit. "Qeveria e re është një koalicion gënjeshtrash që do të përballet me protesta masive në vjeshtë. Kjo qeveri do të jetë me afatin më të shkurtër. LSDM premtoi një koalicion pa BDI-në , ndërsa pa turp e prezanton si parti që do të shtyjë përpara proceset. Kjo qeveri është qeveria e krimit dhe e mashtrimit”, ka deklaruar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.

Opozita shqiptare nuk e voton qeverinë e re

Deputetët e opozitës shqiptare në fjalimet e tyre kritikuan ashpër mashtrimin e madh të BDI-së për kryeministrin shqiptar. Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi doli me akuza se partitë e shumicës po përpiqen të blejnë deputetë nga opozita që të zgjerojnë shumicën e ngushtë të tyre parlamentare prej 62 deputetëve për mbështetje për Qeverinë e re. "Po përpiqeni të përfitoni deputetë nga opozita nga blloku shqiptar. Mund të përgjigjeni për përpjekje për blerje të deputetëve dhe për manipulim me vullnetin e popullit”, ka thënë Rashidi.

Negocatat për koalicionin me BDIFotografi: DW/P. Stojanovski

Trajanov: Vendi ka nevojë për integrim të brendshëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov ka theksuar se në Maqedoni ekziston ndarje e madhe në bazë partiake dhe etnike, fetare, por dhe pozitës sociale dhe për këtë, siç tha ai. Qeveria, presidenti i shtetit dhe Parlamenti duhet të punojnë në integrimin e brendshëm, bashkimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. "Nevojiten ndryshime kushtetuese me qëllim që të përforcohet përgjegjësia e pushtetit ekzekutiv, veçanërisht e kryetarit të Qeverisë dhe ministrave dhe të  përforcohet pavarësia e institucioneve, kompetente për zbulimin dhe parandalimin e formave të rënda të krimit. Nuk ka drejtësi pa gjyqësor të besueshëm”, ka theksuar Trajanov.

Aktualisht shumica parlamentare numëron 62 deputetë, në opozitë janë VMRO-DPMNE me 44 deputetë, koalicioni opozitar shqiptar i përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me 12 deputetë dhe E Majta, me dy deputetë.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut