1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut në ethe zgjedhore

31 Mars 2024

Prilli është muaj zgjedhor në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhjet konsiderohen shumë të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në BE.

Presidenti, Stevo Pendarovski duke folur në parlament
Presidenti, Stevo Pendarovski duke folur në parlament. Pendarovski del në zgjedhje presidenciale si kandidat i Partisë Social DemokrateFotografi: Petr Stojanovski/DW

Gjatë muajit prill në Maqedoninë e Veriut paralelisht do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato të rregullta parlamentare. Në raundin e parë zhvillohen zgjedhjet presidenciale më 24 prill, ku do të garojnë shtatë kandidatë. VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska-Davkova. Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski.

Në garën zgjedhore presidenciale, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore do të jetë edhe Maksim Dimitrievski kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë "E Majta”.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani kandidat për president i BDIFotografi: Petr Stojanovski/DW

VMRO-DPMNE me shanse

Këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të vendit, ato shërbejnë edhe si test për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas hulumtimeve të opinionit publik në epërsi të theksuar është VMRO DPMNE-ja opozitare ndaj LSDM-së, si për zgjedhjet presidenciale, ashtu edhe për ato parlamentare.

Në raundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore apo gjysmën e votave të 1.8 milion zgjedhësve. Në raundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa si fitues zgjidhet kandidati që fiton më shumë vota, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit. Fushata elektorale, e cila do të zgjasë 20 ditë fillon më 4 prill.

Arben Taravari, kandidat i opozitës shqiptare në zgjedhjet presidencialeFotografi: Petr Stojanovski/DW

Zgjedhjet parlamentare: Partitë politike shqiptare ndahen në dy blloqe

Fronti Evropian dhe Koalicioni VLEN janë dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare që mbahen më 24 prill dhe 8 maj. Bashkimi Demokratik për Integrim edhe pse fillimisht synoi të krijojë një koalicion të  gjerë me Lidhjen Social Demokrate të ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, megjithatë vendosi që koalicioni Fronti Evropian të përfshijë partitë më të vogla shqiptare dhe të bashkësive të tjera etnike. BDI-ja tashmë ka bërë koalicion me Partinë Demokratike Shqiptare, Partinë "Populli” dhe Partinë Demokratike Evropiane dhe me partitë e vogla të minoritetit turk, boshnjak dhe romë.

Katër partitë opozitare shqiptare për zgjedhjet parlamentare janë rreshtuar në koalicionin VLEN që përbëhet nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët e kandidatit për president Arben Taravari dhe partia Alternativa. Qëllimi i këtij koalicioni është "ndryshimi”, përkatësisht largimi nga qeveria i Bashkimit Demokratik për Integrim, që është në pushtet prej 22 vjetësh. Koalicioni VLEN vlerëson se shqiptarët kanë nevojë për "ndryshimin e madh” që do të ndodhë në zgjedhjet e dyfishta .

Analisti politik, Xhelal Neziri vlerëson se ndarja e partive shqiptare në dy blloqe do të rezultojë me më shumë mandate të deputetëve shqiptarë në përbërjen e ardhshme parlamentare. "Nëse jehona e votuesve është më e lartë e që varet nga platformat që do të ofrojnë dy blloqet, atëherë gjithsesi se pritet një përfaqësim i shqiptarëve në parlamentin e ardhshëm konform përqindjes së tyre në shtet. Mendoj se do të fitojnë më shumë deputetë sesa që kanë aktualisht apo kanë pasur në të kaluarën. Kjo do të thotë se një e katërta do të jenë me deputetë që vijnë nga partitë shqiptare, apo së paku 30 deputetë”, vlerëson Xhelal Neziri.

Qeveria e re nën kryeministrin shqiptar, Talat Xhaferi, 28 janar 2024Fotografi: Petr Stojanovski/DW

"Shqiptarët kanë një opozitë të vërtetë" në këto zgjedhje

Eksperti Mersim Maksuti, profesor në universitet e shikon si elemente pozitiv këtë. Ndarja e partive shqiptare në dy blloqe politike është për t'u mirëseardhur pasi shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur në veçanti një opozitë të konsoliduar. "Shqiptarët për herë të parë kanë një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë të përçarë, të pakonsoliduar dhe pa strategji. Votuesi shqiptar në këto zgjedhje do të ketë mundësi një alternativë të ndryshme nga pushteti, një alternativë që qytetarët të mund të zgjedhin diçka më mirë. Ky konsolidim politik do të mundësoj partitë të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të tyre”, thotë profesor Mersim Maksuti

Partitë politike shqiptare deri më tani në zgjedhjet presidenciale apo parlamentare kanë marrë pjesë të vetme, pa ndonjë koalicion parazgjedhor mes tyre dhe kjo në disa raste ka çuar edhe në uljen e numrit të deputetëve për shkak të shpërndarjes së votës. Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut partitë shqiptare kanë aktualisht 29 deputetë nga 120 sa numëron institucioni ligjvënës.

Xhaferri: "Ndryshim rrënjësor i politikëbërjes në Maqedoninë e Veriut"

01:54

This browser does not support the video element.

 

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut
Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë