1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia e Veriut u bashkohet sanksioneve të BE ndaj Rusisë

24 Shkurt 2022

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski ka dënuar aktin e agresionit të hapur ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës.

Nord-Mazedonien Skopje | Neue Regierung | Premierminister Dimitar Kovacevski
Fotografi: Robert Atanasovski/AFP/Getty Images

"Lufta është mënyra më e keqe për zgjidhjen e keqkuptimeve dhe agresioni kundër Ukrainës është një kërcënim për paqen evropiane dhe botërore”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut (RMV)Dimitar Kovaçevski. "Qeveria po monitoron nga afër situatën në Ukrainë. Situata e sigurisë në vendin tonë është e qendrueshme dhe në këtë moment nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Kovaçevski. Krahas situatës së sigurisë, qeveria e RMV-së po ndjek nga afër edhe ndryshimet në rrjedhat ekonomike në botë, të cilat dukshëm janë destabilizuar nga ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar informacionin për pakon e re të masave kufizuese të BE-së lidhur me situatën në Ukrainë. Maqedonia e Veriut i bashkohet vendimeve të BE-së për masat kufizuese për një numër të caktuar politikanësh dhe biznesmenësh që kanë luajtur një rol në situatën në Ukrainë.

Osmani: Dy familje nga RMV kanë kërkuar ndihmë nga Ambasada në Ukrainë

Qeveria ka shqyrtuar edhe nevojën për strehim të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe familjarëve të tyre pas evakuimit nga Ukraina. Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani theksoi, se dy familje nga Maqedonia e Veriut kanë kërkuar ndihmë nga Ambasada e RMV-së në Kiev.

"Deri më tani kemi pasur disa apele që të shfrytëzohen të gjitha fluturimet komerciale për t'u kthyer në Shkup. Disa prej tyre janë kthyer, disa jo. Jam në komunikim me ambasadën tonë atje që në mëngjes. Kemi disa qytetarë që kërkojnë dokumente të caktuara për të dalë jashtë vendit”, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Ambasadori i RMV-së në Ukrainë Krum Efremov ka thënë, se tek qytetarët në Kiev është i dukshëm paniku.

"Largimi është i mundur me vetura e me mjete të ndryshme transporti. Linjat ajrore janë në ndërprerje nuk po funksionojnë, kështu që e vetmja rrugëdalje nga teritori i Ukrainës është transporti tokësor”, u shpreh ambasadori Efremov.

Sulmi i Rusisë në Ukrainë, reagon presidenti Pendarovski

Pushtimi i Rusisë në Ukrainë është një sulm ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, një shkelje serioze e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare, një goditje për rendin demokratik dhe një kërcënim për stabilitetin e Evropës, ka thënë në reagimin e tij presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski

"Si anëtare e NATO-s, ne i bashkohemi thirrjes së Aleancës drejtuar Rusisë për të ndërprerë armiqësitë në territorin e Ukrainës. Në emër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shpreh solidaritetin me popullin ukrainas në këto kohë të vështira”, thuhet në deklaratën e Pendarovskit. Presidenti ka thirrur seancë të Këshillit të Sigurisë, në të cilën diskutohet për agresionin rus ndaj Ukrainës.

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut