1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia intensifikon përpjekjet diplomatike me Brukselin

22 Nëntor 2005

Ministrja e punëve të jashtme të Maqedonisë, Ilinka Mitreva po zhvillon një vizitë në Bruksel. Ajo u takua me komisionerin përgjegjës për zgjerimin, Olli Rehn dhe foli para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian

Maqedonia duket se po bën të gjitha përpjekjet që të shkëputet nga treshja ballkanike e përbërë nga Shqipëria, Serbia dhe Bosnja dhe të vihet në një rradhë me Turqinë dhe Kroacinë në garën e anëtarësimit për në BE. Ky ishte edhe shkaku kryesor i vizitës në Bruksel të shefes së diplomacisë maqedonase, Ilinka Mitrevës dhe takimeve që ajo zhvilloi me komisionerin përgjegjës për zgjerimin, Olli Rehn si dhe diskutimeve që pati në Komisionin e Punëve të jashtme të Parlamentit Europian. Duket se në Shkup kanë krijuar bindjen se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe sidomos i Shqipërisë, Federatës serbo malazeze si dhe asaj bosnjake do të shtyhet për në kalendat greke, prandaj zyrtarët e lartë maqedonas, tani që Komisioni Europian i hapi dritën jeshile njohjes së këtij vendi si kandidat për në BE, po ushtrojnë presionin maksimal, që më së shumti gjatë vitit të ardhshëm edhe Maqedonia të fillojë negociatat e anëtarësimit.

Ndofta për këtë shkak shefja e diplomacisë maqedonase përdori një gjuhë shumë mikluese ndaj deputetëve të Parlamentit Europian, kur u përpoq të jepte një tabllo rozë të gjendjes së përgjithshme në vendin e saj. Ajo e vuri theksin sidomos në vlerat europiane që rrezaton vendi i saj si dhe në situatën e shëndoshë që gjallon sot në Maqedoni, që pas vënies në jetë të Marrëveshjes së Ohrit.
Por duket se jo të gjithë europarlamentarët u bindën nga retorika e ministres maqedonase. Shumë prej tyre vunë në dukje se Maqedonia do të kishte rrëshqitur në një luftë civile, në rast se nuk do të kishte ndërhyrë bashkësia ndërkombëtare që i imponoi Shkupit hartimin dhe vënien në jetë të marrëveshjes së Ohrit.

Kështu europarlamentari hollandez, Meijer, i vuri në dukje Mitrevës se përsa kohë që forca nacionaliste dhe ekstremiste do të flasin në Shkup për një popull dhe për një gjuhë të vetme, për aq kohë negociatat e anëtarësimit do të bllokohen. E këtij mendimi ishte edhe eurodeputetja gjermane, Doris Pack, e cila pasi shprehu mbështetjen dhe aprovimin e saj për hapat e hedhur deri më sot në këtë republikë, nënvizoi se situata mund të quhet e konsoliduar vetëm kur shqiptarët të ndjehen të barabartë me maqedonët. Afërsisht ky ishte edhe toni i përdorur nga eurodeputeti austriak Swoboda, ai britanik Piter etj.

Acarim dhe pakënaqësi shkaktoi edhe kësaj rradhe diskutimi i europarlamentarit grek, Karaxhaferri, i cili duke kundërshtuar emërtimin e vendit si Maqedoni aludoi deri edhe për një aneksim të mundshëm të një pjese të Greqisë nga ana e Shkupit.

Situata në rajon dhe sidomos problemi i liberalizimit të vizave nga BE-ja ndaj qytetarëve të maqedonas ishin disa thekse të tjera në ekspozenë që ministrja e Shkupit paraqiti në Bruksel. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, shefja e diplomacisë maqedonase u shpreh se Shkupi mbështet plotësisht qëndrimin e BE-së ndaj zgjidhjes së këtij problemi dhe se qeveria maqedonase do të përkrahë çdo zgjidhje që nuk vë në rrezik stabilitetin e vendit të saj.