Maqedonia mund të përfitojë nga tendosja e raporteve ekonomike Kosovë - Serbi
30 Korrik 2011
Maqedonia duhet të respektojë marrëveshjen CEFTA dhe të jetë e kujdesshme, thonë ekspertët, pas shkallëzimit të konfiktit tregtar mes Kosovës dhe Serbisë. Paralajmërimet nga Prishtina që edhe kufiri maqedonas në të ardhmen të kontrollohet më mirë, me qëllim që në këtë pjesë të kufirit të mos futen mallra nga Serbia, është një vendim me motiv politike, që mund të ketë edhe pasoja ekonomike, thotë profesorja Ljubica Kostovska.
"Serbia dhe Kosova kanë harruar se me nënshkrimin e marrëveshjes CEFTA kanë marrë edhe obligime të caktuara që duhet respektuar. Zgjidhja duhet të kërkohet në Bruksel, në sekretariatin e CEFTA-s", thotë Kostovska.
Ajo pohon se Maqedonia duhet të jetë konseguente dhe të respektojë marrëveshjen e CEFTA-s dhe Organizatës Botërore të Tregtisë. Maqedonia duhet të vazhdojë bashkëpunimin normal me Kosovën dhe duhet të synojë zhvillimin e raporteve tregtare. Por kur është fjala për prodhimet ku Serbia ka një kompetencë më të madhe, të gjitha punët duhet të zhvillohen në kanale legale.
"Maqedonia duhet të bëjë përpjekje të shtojë eksportin e saj në Kosovë, por vetëm me mjete legale. Përpjekjet për regjistrimin e firmave në Maqedoni në bashkëpunim me sipërmarrjet nga Serbia, në Kosovë do të trajtohen si ilegale", pohon Ljubica Kostovska.
Marrëveshja e CEFTA-s është në interesin e të gjithëve
Ngjashëm mendojnë edhe shumë shoqata ekonomike. Dhoma Ekonomike e Maqedonisë pohon se marrëveshja e CEFTA-s ofron mundësi të shumta për bashkëpunim. Vendet që kanë nënshkruar këtë marrëveshje kanë përparësi të mëdha, thotë Stojmirka Tasevska, nga Dhoma Ekonomike.
Pas bllokimit të mallrave serbe nuk është shënuar ndonjë rritje e eksportit maqedonas në Kosovë. Por kjo ka të bëjë edhe me faktin që tregtarët kosovarë ende kanë sasi të mjaftueshme rezervash. Maqedonia ka shanse të mira të shtojë eksportin në Kosovë, në qoftë se i përmbahet rregullave ligjore, pohon Menderes Kuçi, kryetar i Dhomës ekonomike në veriperëndim të Maqedonisë.
"Kosova do të reagonte në mënyrë negative sikur të vërehej fenomeni i futjes së prodhimeve serbe në Kosovë përmes Maqedonisë, si për shembull prodhimet e miellit apo prodhimet tjera serbe", thotë Kuçi.
Kosova është një prej vendeve të pakta me të cilin Maqedonia ka një bilanc pozitiv dhe eksporton më shumë se sa importon. Vitin e kaluar në Kosovë nga Maqedonia janë futur mallra në vlerë prej rreth 400 milionë euro. Sipërmarrjet që prodhojnë miell, sheqer, materiale ndërtimore, ilaçe, vaj dhe letër tani kanë një shans të madh që të përfitojnë edhe më shumë, pas acarimit të fundit në raportet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, sepse shumica e këtyre prodhimeve deri tani është importuar pikërisht nga Serbia.
Autor: Kostatin Delimitov / Bahri Cani
Redaktoi: E. Xhani