1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia oaz taksash

Fatos Musliu16 Nëntor 2006

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski përpiqet ta bëjë vendin atraktiv për thithjen e investimeve nga jashtë. Strategjia e re parasheh ta kthejë Maqedoninë në vendin me taksat më të ulta në Europë

Vreshta në Maqedoni
Vreshta në MaqedoniFotografi: dpa
Me ndryshimet rrënjësore në politikën fiskale, Qeveria e Maqedonisë do ta bëjë vendin shtet me tatime më të ulta në Evropë. Kryeministri, Nikolla Gruevski, vlerëson se me uljen e tatimeve personale dhe atij në fitim deri në 10 përqind, do të krijojë një ambient në Maqedoni për thithjen e invetimeve nga jasht. Tatimi personal në të ardhura prej 24,18 dhe 15 përqind gjatë vitit të ardhshëm në periudha të veçanta do të ulet në 10 përqind, ndërsa fitimi i cili do të riinvestohet nuk do te tatimohet. Ndryshimet në politikën fiskale do t'i dedikohen edhe zonave të lira ekonomike. “Në 10 vitet e para, tatimi në fitim do të jetë 10 përqind ndërsa tatimi personal në 5 vitet e para do të jetë 5 përqind”, deklon kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski. Gjithnjë sipas tij, me propozimin e ndryshimeve në politikën tatimore dhe miratimin e tyre nga Parlamenti, do të mundësohet ardhja e kapitalit të huaj në vend. Infuzioni financiar në ekonomië e Maqedonisë, gjithnjë sipas qeveritarëve do të mundësojë rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e numrit të të papunësuarve. Propozimet e Qeverisë për reformat në politikë fiskale, ekspertët e kanë vlerësuar si hap të guximshëm. Profesor i Universitetit të Evropës juglindore, Izet Zeqiri thotë se këto reforma do të mundësojnë nxitjen e zhvillimit ekonomik, posaçërisht rritjen e kërkesës nga mjetet që do të jenë në disponim si rezultat i zvogëlimit të tatimeve të paralajmëruara. “Gjithashtu kjo do të mundësojë edhe zvogëlimin e ekonomisë informale sepse si rezultat i këtyre masave kjo do të nxit legalizimin e sektorit informal në Maqedoni,” shton ai. Gjithnjë sipas profesor Izet Zeqiri në afat të shkurtër efektet e ndryshimeve në politikën fiskale nuk do të ndihen menjëherë për shkak se kjo strukturë e tatimeve në tatimet e përgjithshme të vendit nuk kap ndonjë vlerë të konsiderueshme. Efektet e politikës fiskale mund të priten pas disa viteve. "Nëse Qeveria nuk merr masa në sferën sociale atëherë paralajmërimet e ndryshimeve në politikën fiskale më së shumti do ta ndjejnë shtresat më të varfra të qytetarëve," thotë Profesor Izet Zeqiri. Kryeministri Nikolla Gruevski thotë se ndryshimet në poltikën tatimore janë perkrahur edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Ndërkombëtarët sy hapur i ndjekin të gjitha reformat fiskale. Ata përkrahin të gjitha masat që shkojnë në funskion të rritjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik dhe zhbllokimit të status quos ekonomike në të cilën gjendet Maqedonia, “ vlerëson Izet Zeqiri, profesor në Universitetin e Evropës juglindore.