1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia shfrytëzuese e fondeve IPA të BE-së

27 Mars 2009

Deri në vitin 2013 Maqedonia ka në dispozicion shfrytëzimin e 300 milion eurove nga IPA, fondet e BE-së për reformimin e institucioneve.

EU Olli Rehn në Shkup
EU Olli Rehn në Shkup. Bashkimi Evropian i ka mundësuar Maqedonisë, si vend kandidat për anëtarësim në BE shfrytëzimin e fondeve të IPA-s.Fotografi: Petr Stojanovski

Bashkimi Evropian i ka mundësuar Maqedonisë, si vend kandidat për anëtarësim në BE shfrytëzimin e fondeve të IPA-s, me të cilat Maqedonia bën reformimin e institucioneve. Ministria e financave ka dorëzuar zyrtarisht pakon e akreditimit dhe Maqedonia ka demonstruar gatishmëri që në të ardhmen të shfrytëzojë fondet e BE-së.

Bisnismenët me plane konkrete për thithjen e fondeve të IPA-s

Infrastruktura, zhvillimi rural, turizmi malor dhe bashkëpunimi ndërmjet doganave janë degët ku kompanitë maqedonase planifikojnë të investojnë një pjesë të madhe të mjeteve financiare që do i lëvrojnë nga fondet IPA të BE-së, thotë kryetari i Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë, Zllatko Kallenikov. “Lidhja e Odave ekonomike ka të përgatitur projektin për zhvillimin e turizmit rural në Maqedoni. Ne vlerësojmë se kjo degë është shumë e rëndësishme dhe me mjetet financiare nga Brukseli ne mund të bëjmë një hap konkret në zhvillimin e këtij sektori. Ne kemi edhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës e cila drejtpërsëdrejti do të mundësonte zhvillimin e bizneseve në shumë pjesë të Maqedonisë,” thotë Zllatko Kallenikov.

Biznesmenët thonë se janë të gatshëm të hartojnë plane biznesi, por pranojnë se kanë nevojë për përgatitje profesionale se si të konkurojnë për të fituar të drejtën e shfrytëzimit e mjeteve financiare nga fondet IPA.

Kujdes në shfrytëzimin e mjeteve nga Brukseli

Deri në vitin 2013 Maqedonia ka në dispozicion rreth 300 milion euro mjete nga fondet IPA. Sipas zëvendëskryeministrit Ivica Bocevski, i cili është i ngarkuar njëherit edhe me çështjet eurintegruese, tani është më se e rëndësishme që biznesmenët të kenë gati projektet në të cilat do të investohet nga mjetet e Brukselit. “Institucionet vendore të Maqedonisë do të jenë ato të cilat do të planifikojnë, do të marrin dhe do t`i harxhojnë mjetet financiare që i kemi në dispozicion nga Bashkimi Evropian. Kjo do të thotë një sukses i madh për institucionet e Maqedonisë mbase ato do të jenë pjesë përbërëse e sistemit evropian të institucioneve, të cilat do të jenë edhe përgjejgëse për harxhimine këtyre fondeve," vlerëson zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Ivica Bocevski.

Gjithnjë sipas tij tani më ka filluar një fushatë e cila po zhvillohet në teren për ti informuar bujqit se si ata mund ti shfrytëzojnë këto mjete financiare për zhvillimin e sektorit rural.

Gjatë periudhës së ardhshme në Maqedoni pritet të arrijë një mision revizioni për të konstrolluar kapacitetet e strukturave shtetërore dhe gatishmërinë e tyre për shfrytëzimin e fondeve IPA.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama