1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marinarët britanikë të arrestuar nga Irani u lanë të lirë

Auron Dodi5 Prill 2007

Marinarët britanikë të arrestuar nga Irani do të lirohen. Këtë e sinjalizoi presidenti i Iranit, Ahmadinexhad. Gjermania e përshëndeti këtë lajm.

Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad
Presidenti i Iranit, AhmadinexhadFotografi: AP

Kthesë e papritur në krizën e shkaktuar nga arrestimi i 15 ushtarakëve britanikë nga Irani. Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad ka sinjalizuar lirimin e menjëhershëm të ushtarëve britanikë të arrestuar në Gjirin Persik. 14 burrat dhe gruaja u mëshiruan, kjo është një dhuratë ndaj Britanisë së Madhe, tha presidenti në një konferencë shtypi në Teheran.

Qeveria britanike e përshëndeti deklaratën e Ahmadinexhadit. Kryeministri britanik, Toni Bler tha se ai është i gëzuar. Lirimi është një lehtësim i madh për ushtarët dhe anëtarët e familieve të tyre, tha ai. Bleri tha duke iu drejtuar popullit iranian se "ne nuk ju ngarkojmë ju me armiqësi". Mosmarrëveshjet ekzistuese midis qeverisë së Londrës dhe Teheranit do të zgjidhen "paqësisht, përmes një dialogu". Bleri falenderoi edhe të gjithë aleatët dhe miqtë "në Evropë dhe në KS të OKB-së si dhe në rajon" për mbështetjen e tyre. Ushtarët britanikë u arrestuan më 23 mars në grykëderdhjen e Shat-El-Arab-it nën akuzën se kanë shkelur ujëra territoriale iraniane. Sipas Britanisë së Madhe, ushtarët ndodheshin në territorin irakian.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank -Valter Shtajnmajer e përshëndeti lirimin e ushtarëve britanikë: "Unë natyrisht që gëzohem me ushtarët britanikë vetë dhe shpresoj se kjo deklaratë do të ndiqet shumë shpejt nga hapa konkretë dhe që marinarët të kenë mundësinë të ndodhen sa më shpejt pranë familjeve të tyre."

Shtajnmajeri tha se shpreson që të gjendet një zgjidhje edhe për programin atomik iranian: "Një fillim është bërë dhe shpresoj që ky fillim të hapë rrugën për bashkëpunim në zgjidhje të reja."