1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170111 Marine Le Pen

17 Janar 2011

Në krye të partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Frontit Nacional, që prej fundjavës është Marine le Pen, e bija e Jean-Marie Le Pen-it, kryetarit prej shumë vitesh të partisë.

Marine Le Pen
Marine Le PenFotografi: AP

Marine le Pen e njoftoi në një kongres partie në Tours ndryshimin, i cili u realizua përmes një anketimi të rreth 22.000 anëtarëve të partisë. Me në krye 42-vjeçaren tërheqëse, e cila ka të njëjtin qendrim si babai i saj në lidhje me imigracionin dhe kundër "Evropës", partia pritet të ketë një shtim të fortë votash në zgjedhjet presidenciale 2012.

Jean-Marie Le Pen, me të bijën Marine Le PenFotografi: AP

Marine Le Pen ia doli të ngjitet në postin më të lartë të partisë. Kryetarja e re qendron në tribunë me kostum të zi dhe ngre krahët lart. Kjo pozë fitimtari është e preferuar në familjen Le Pen. Tani pushteti ka kaluar nga Jean-Marie tek Marine.

Anëtarët e Frontit Nacional e zgjodhën me shumicë të madhe kryetare të partisë, 42-vjeçaren. Babai i saj, themeluesi dhe deri tani kryetari i vetëm i partisë nacionaliste, Jean-Marie Le Pen, e njoftoi vetë fitoren e së bijës.

Kryetarja e re e partisë, avokate dhe eurodeputete, është nga i njëjti brumë si babai i saj 82-vjeçar: e vendosur, me vetëbesim, luftarake. Ajo do të vazhdojë kursin e tij politik, në temën e imigracionit nuk është më pak radikale. Së fundi Marine Le Pen shkaktoi indinjatë me krahasimin e lutjeve të myslimanëve në rrugë me pushtimin nazist në Luftën e Dytë Botërore. Ajo është për nacionalizëm dhe kundër Evropës - këtë e bëri të qartë edhe pas zgjedhjes së saj në kongresin e partisë.

Kongresi i Frontit NacionalFotografi: picture alliance/dpa

„Duhet pritur që trazirat në Magreb të kenë si pasojë flukse masive imigrantësh, të cilët do t'i pësojmë, pasi Evropa nuk është në gjendje të kontrollojë imigrimin, dhe prej vitesh siç e dimë s'është gjë tjetër veçse një sitë ku kalon gjithçka."

Kryetarja e re e nacionalistëve kërkon të mbyllë sërish kufijtë, imigrantët pa punë duhet të dëbohen dhe duhet të rifutet dënimi me vdekje. Teza, të cilat ajo përpiqet t'i përhapë në opinionin publik me shumë kujdes dhe në mënyrë sa më diplomatike. Taktika e saj është ta bëjë të pranueshëm për shumicat si parti demokratike Frontin Nacional, për të tërhequr një bazë sa më të gjerë zgjedhësish. „Çdemonizim", është fjala magjike e Marinës. Me këtë truk ajo synon të arrijë të paktën balotazhin në zgjedhjet presidenciale 2012. Kryetarja e re bjonde e Frontit Nacional sapo e ka marrë postin e ri në parti, por nuk vonon të njoftojë pretendimin e saj të ri: „Mendoj se tani që jam zgjedhur kryetare e Frontit Nacional, jam automatikisht edhe kandidate për zgjedhjet presidenciale. Tani kjo duhet zyrtarizuar dhe instancat e partisë duhet të më japin votëbesimin, në mënyrë që unë të përfaqësoj familjen tonë politike në zgjedhjet presidenciale."

Demostratë në Paris kundër Frontit Nacional, maj 2002Fotografi: AP

Me ndryshimin e brezave në kreun e partisë, Fronti Nacional shpreson tani të bëhet një alternativë elektorale për konservatorët e zhgënjyer. Presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe partia e tij UMP gjenden nën trysni të fortë. Që tani sipas anketimeve, një e treta e zgjedhësve konservatorë përkrahin idetë e Frontit Nacional. Marine Le Pen nuk mund të nënvleftësohet në asnjë mënyrë, pasi ajo do të luftojë po aq hidhur sa babai i saj.

Autor: Anne Christine Heckmann/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama