1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marketingu social dhe zhvillimi i një fushate mjedisore në Shqipëri

31 Korrik 2011

Eksperienca gjemane për ndërtimin e fushatave ndërgjegjësuese mbërrin në Tiranë. Përfaqësues të shoqërisë civile, studentë dhe të sapodiplomuar diskutojnë mbi platformën që nxit ide dhe propozime në favor të mjedisit

3. Pamje nga zhvillimi i workshop-it në Tiranë me ekspertë gjermanë
Pamje nga zhvillimi i workshop-it në Tiranë me ekspertë gjermanëFotografi: DW

Prej kohësh Instituti Goethe zbaton në Shqipëri projekte që kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit, sjelljen ndaj dukurive dhe burimeve natyrore, të futjes së përdorimit të energjive alternativë, etj.

Diskutimet sistematike që zhvillohen mbi këto tema në prezencën dhe të ekspertëve e grupeve të interesit shoqërohen dhe ilustrohen me pervojën e eksperiencën gjermane nëpërmjet të ftuarve, filmave dokumentarë si dhe shpërndarjes së publikimeve të posaçme. Një ndër projektet e fundit që ka marrë udhë së fundi është dhe ai që thirret: “Marketingu social dhe zhvillimi i një fushate mjedisore në Shqipëri”. Aktorë kryesorë të projektit janë përfaqësues të agjencisë gjermane “Heymann Brandt de Gelmini AG”. Kjo agjenci njihet si ideatore e njërës prej fushatave më në zë për mbrojtjen e mjedisit në Gjermani, e nderuar me çmime dhe e shndërruar në kult duke u përmendur dhe në tekstet shkollore gjermane.

Rene Heymann nga agjencia "Heymann Brandt de Gelming AG" në Berlin duke folur për DWFotografi: DW

Përfaqësuesit e agjencisë René Heymann dhe Ulrike Koschwitz në diskutimet me aktivistët e shoqërisë civile, studentë dhe të sapodiplomuar nga Shqipëria, i referohen eksperiencës së tyre me fushatën që kanë organizuar në Berlin, me ndërmarrjen e pastrimit të kryeqytetit gjerman, BSR. Për ndikimin që pati fushata e tyre publicitare në ndryshimin rrenjësor të imazhit të punonjësve të pastrimit në çdo cep të Berlinit, për bashkëpunimin me komunitetin etj. Gjithçka nëpërmjet mesazheve të thjeshta, pikante dhe me gjuhë të pasur humori e shpotie. Gjatë një workshop-i që kanë zhvilluar në Tiranë, René Heymann dhe Ulrike Koschwitz diskutuan me pjesëmarrës që ishin të interesuar rreth temave për mbrojtjen e mjedisit, të ishin të interesuar në njohjen e mënyrave profesionale për influencimin e opinionit publik, të ishin të gatshëm dhe me dëshirë për të bashkëpunuar me të tjerët me qëllim krijimin e një koncepti për një fushatë mjedisore në Shqipëri etj.

Ndërgjegjësimi i qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit, qëllimi i organizatave joqeveritare

Jola Foto është përfaqësuese e një organizate joqeveritare për programet alternative sociale stimuluese. Duke u nisur nga situata e pastrimit të qyteteve shqiptare ajo thotë për DW se për organizatën e saj ka rëndësi aspekti social në ndërtimin e fushatave të tilla publicitare për ndërgjegjësimin e komunitetit.

“Ajo që më duket më interesante në workshop-in me ekspertët gjermanë nga ‘Heymann Brandt de Gelmini AG' është trajtimi i çështjeve sociale në një perceptim më kreativ duke e bërë më interesante për qytetarët, në mënyrë që ata ta kapin me lehtësi mesazhin që lëshohet nga organizatorët, si dhe disi më argëtuese. Në një farë forme kjo nxit kreativitetin tek njerëzit dhe mendoj se ka hapësira të mjaftueshme për të promovuar dhe në Shqipëri iniciativa të tilla në favor të mbarëvajtjes së punëve në komunitet.”

Gerond Taçi drejton një studio që ndërton faqe interneti dhe promovon fushata publicitare televizive. Ai ishte mjaft i interesuar nga eksperienca e kompanisë gjermane pasi e përshkruan për DW si problematike situatën aktuale në Shqipëri.

“Këtë gjë e vuan në rradhë të parë biznesi, sepse fushatat e marketingut janë jo efektive dhe në prezantimin e tregut jashtë vendit kompanitë shqiptare prezantohen dobët. Më shumë kopjohet nga të tjerët me një simbolikë që nuk është në sinkron me realitetin e vendit tonë. Këto lloj workshop-esh duhet të shtohen mendoj. Agjencia gjermane që ka ardhur në Shqipëri është mjaft profesionale dhe tregon për një rrjedhë logjike të saktë se si do të rrjedhi procesi i punës për ndërtimin e një fushate. Do të jetë me mjaft interes për çdo studio, apo biznesin në tërësi”.

Në ditët e zhvillimit të workshop-it në Tiranë pjesmarrësit shprehën interesim në seancat e diskutimit duke ngritur pyetje të shumta për ndërtimin e fushatave publicitare efikase për të gjallëruar inciativën dhe fluksin e ideve në komunitet. Ky është fillimi dhe ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me cilindo të interesuar për të ndarë mendimet dhe propozimet që lindin në vijim, thotë René Heymann për DW.

Bashkëpunimi shumëdimensional, prioritet i fushatave dhe platformave për realizimin e projekteve

Brigitta Grau-Günther nga Instituti Goethe në TiranëFotografi: DW

“Kam zhvilluar disa projekte të tilla ndërkulturore. Mundohemi të japim disa nga instrumentet më të rëndësishëm të ndërtimit të fushatës, hapat dhe metodologjia për zhvillimin konkret të saj. Jo vetëm me pjesëmarrësit në këtë Workshop por dhe më të tjerë që kanë interes, kanë ide e ngacmime për të ndërtuar një strategji ne do të kemi mundësi të kontaktojmë duke ngritur një urë komunikuese online, si një platformë për ti dhënë përgjigje, sqarime dhe plotësime çështjeve që diskutohen. Duke ju krijuar mundësi ideatorëve shqiptarë që të komunikojnë me homologë jo vetëm nga Gjermania, por dhe nga vendet e tjera të rajonit, duke i dhënë një dimension ndërkombëtar shkëmbimit të eksperiencave dhe përvojave. Secili vend ka veçoritë e veta, por dhe mund të mësojë nga vende të tjera. Kjo është nxitëse, mendoj për njerëzit që duan të bëjnë ndryshimin, sado i vogël qoftë, në shërbim të komunitetit. E përsëris ky është fillimii një bashkëpunimi shumëdimensional me njeri –tjetrin.”

Workshopi “Marketingu social dhe zhvillimi i një fushate mjedisore në Shqipëri” u organizua nga një bashkëpunim mes Institutit Goethe dhe “Heymann Brandt de Gelmini AG”. Referentja e Institutit Goethe në Shqipëri, Brigitta Grau-Günther, që është dhe drejtoreshë e Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë thotë për DW se dokumentimi i aktivitetit dhe rezultatet e një anketimi që ka zhvilluar Instituti me qytetarë shqiptarë do të prezantohen në ditët e Tetorit Gjerman 2011.

“Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në projekt janë të rinj, studentë ose të sapodiplomuar. Kjo është pozitive pasi në rradhët e të rinjve gjen bartësit e ideve dhe të propozimeve nga njera anë, por dhe ata priren më shumë të jenë të gatshëm që me dëshirë të bashkëpunojnë me të tjerë me qëllimin e krijimit të një koncepti realist për një fushatë efektive mjedisore në Shqipëri”, thotë Brigitta Grau-Günther për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Kelmendi