1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Markus Söder - kryeministri më i padashur

15 Tetor 2018

Kryeministri bavarez, Markus Söder është mjeshtër i ndryshimit. Por shumë vetë në Bavari nuk i ka bindur kthesa e tij nga përçarës në babanë e përkushtuar të bavarezëve.

Deutschland CSU Parteitag in München | Markus Söder
Fotografi: Getty Images/AFP/C. Stache

Në Bavari u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku partia CSU shënoi rezultate më të dobëta se në zgjedhjet e kaluara. Markus Söder pretendon të rizgjidhet në postin e kryeministrit. Por kush është ai?

Markus Söder është krenar me postin e tij si kryeministër i Bavarisë, me pushtetin, CSU-në dhe Bavarinë e bukur të "tij". Për Söder ka qenë gjithmonë një ëndërr që të bëhet kryeministër i Bavarisë. Për këtë ai ka punuar shumë - me vite. Pas marrjes së pushtetit nga Horst Seehofer në mars të këtij viti, partia CSU ishte në nivelin e mbështetjes në sondazhe mbi 40%.

60 vjet në pushtet në Bavari

Por CSU më nuk do të jetë e vetme në pushtet, si në të kaluarën. Markus Söder është tani përgjegjës për humbjen e shumicës absolute në Bavari. Me dekada të tëra atje ka qenë një lloj automatizmi zgjedhja e CSU në pushtet. Kristiansocialët janë në pushtet në Bavari më shumë se gjashtë dekada - ndonëse ndonjëherë në koalicion me të tjerët.

Söder ka fajësuar qeverinë federale në Berlin për rënien e vlerave të CSU në Bavari. Në radhë të parë drejton gishtin drejt ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer, që ishte edhe paraardhësi i tij në Bavari dhe ende është kryetar i CSU. Por edhe Söder ka bërë disa gabime strategjike. Tema kryesore e tij në fushatë ishte politika e migrimit në vend.

Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Kneffel

Söder në fushatë shumë shpejt është armiqësuar me partinë djathiste populiste Alternativa për Gjermani (AfD), e cila vërtet ka arritur të përvetësojë shumë votues të mëparshëm të CSU-së.

Politika ndaj kundërshtarëve

Migrimin në Gjermani e ka quajtur "Asyltourimus", (Azil-turizëm), dhe me këtë meritoi nga gazeta New York Times titullin "Donald Trumpi i Gjermanisë". Por duket se zgjedhësit nuk ishin tepër të kënaqur me retorikën e tij radikale. Ai nuk arriti me këtë retorikë të stopojë as ngritjen e AfD në Bavari. Söder ka kërkuar edhe vendosjen e domosdoshme të kryqit në institucionet e vendit. Kjo nuk është mirëpritur fare nga shumë zgjedhës, por as nga përfaqësuesit e kishës. Javët e fundit toni i Söderit ishte më i butë, sulmet ndaj kundërshtarëve më të qeta. Ndërsa për qeverisjen në kohën e tij tha se Bavaria është "shndërruar në një vend përrallor".

Markus Söder ka lindur në "këtë vend përrallor", më saktësisht në Nyremberg,  me 5.1.1967. Fëmijë i një familjeje modeste ai e ka përfunduar gjimnazin me nota të shkëlqyeshme. Söder ka studiuar shkencat juridike dhe ka doktoruar. Më pas ka punuar si gazetar në TV. Idoli i tij politik që në rini ishte: Franz Josef Strauß, kryeministër dhe njeriu më i rëndësishëm i Bavarisë në vitet 80-të. Söder është i martuar dhe ka katër fëmijë.

Fotografi: Twitter/Markus Söder

Në vitin 1994 ai është futur në parlamentin bavarez, ku është emëruar në disa poste ministrore. Me 16 mars 2018 mori postin e kryeministrit ë Bavarisë.

Ambiciet

Por këtë post ende nuk e ka mësuar sa duhet. Do të zgjatë edhe ca kohë deri sa të shndërrohet nga një figurë përçarëse në udhëheqës të landit dhe të bëhet një kryeministër i të gjithëve. Söder është i afërt me popullin, por ai nuk duket i natyrshëm. Ndër 16 kryeministrat e landeve në Gjermani, ai është më i padashuri, thuhet në sondazhet e fundit. Gjatë fushatës së fundit ka rënë në sy për taktizime të shumta. Ky imazh e ka dëmtuar Söderin por edhe partinë e tij CSU. Megjithatë askush në këtë moment nuk e beson se Markus Söder mund të heqë dorë nga kandidatura e sërishme për postin e kryeministrit të Bavarisë. Pavarëisht rezultateve.