Marrëdhënia BE- Ballkan është një dështim dyfish
26 Gusht 2015DW: A mendoni se BE po bën mjaftueshëm për ta ndihmuar Ballkanin Perëndimor dhe për ta afruar atë me BE?
Brunnbauer: Besoj se mund të flasim për një dështim në dy drejtime. Në njërën anë, BE, ose e thënë më saktë, fuqitë kryesore të tij si Gjermania, nuk kanë bërë mjaftueshëm vitet e fundit për t'i afruar vendet e Ballkanit Perëndimor më pranë BE ose ajo që do të ishte idealja, t'i pranonin në BE. Duket se kemi një farë lodhjeje nga zgjerimi dhe kriza e vazhdueshme në Greqi si dhe konflikti në Ukrainë i kanë preokupuar udhëheqësit dhe institucionet evropiane.
Në anën tjetër, qeveritë në shtetet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu kanë dështuar nga ana e tyre për t'i avancuar reformat me energjinë e nevojshme. Në Bosnjë-Hercegovinë nuk kemi fare përparim, për shkak të qendrimeve të papajtueshme të elitave etno-nacionaliste. Serbia vazhdon të kundërshtojë të bëjë ato që duhet të bëjë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Dhe korrupsioni dhe problemet me ligjet rëndon mbi të gjitha këto vende.
Megjithatë, një arsye për këto probleme është se elitat politike nuk e ndiejnë se vendet e tyre kanë vërtet shans për të hyrë në BE në të ardhmen e afërt. Ne e dimë se anëtarësimi i mundshëm është i vetmi instrument i fortë i politikës së jashtme që ka BE. Pa të, druhem se në Ballkan do të kemi të tjerë hapa pas. Gjithashtu i nevojshëm për Ballkanin është edhe një lloj plani Marshall.
A po e shet demokracinë për hir të stabilitetit në rajon BE duke pranuar praktika jodemokratike në disa vende?
Unë nuk e besoj se kemi një kthim të ndërgjegjshëm drejt mbështetjes ose pranimit të tendencave autoritare në emër të stabilitetit. Ka edhe një lloj lodhjeje, madje edhe zhgënjim midis politikanëve të BE, që duhet kaq shumë kohë për t'i zbatuar standardet evropiane. Në raport me Serbinë, politikat e BE duken me të vërtetë naivë. BE po mbyll sytë përballë tendencave autoritare të qeverisë aktuale. Është e nevojshme që BE të pranojë shpejt se sa e tmerrshme dhe e lartë do të jetë kostoja nëse vazhdon gjendja e tanishme e plogështisë. Nëse nuk do të kemi ndryshim, deziluzionimi popullor i përhapur në këto vende do të shtohet, duke çuar në destabilizim më të madh të brendshëm.
Në Gjermani po vazhdon një debat për numrin e madh të azilkërkuesve nga shtetet ballkanike dhe nëse duhet të deklarohen apo jo shtete shtesë (Shqipëria, Kosova, Mali i Zi) shtete të sigurta. A janë pretendimet e azilkërkuesve nga Ballkani legjitime, duke pasur parasysh situatën në vendet e tyre respektive?
Azilkërkuesit nga Ballkani normalisht nuk paraqesin kërkesa të besueshme për azil siç janë përcaktuar në Konventën e Gjenevës, sepse ata nuk persekutohen si individë mbi bazën e bindjeve politike, racës, fesë etj. Në këtë kuadër, kur flasim për azil, që t'i deklarojmë këto shtete, shtete të sigurta të origjinës duket e arsyeshme. Në anën tjetër, ka shumë arsye se pse njerëzit duan të braktisin situatat dëshpëruese ekonomike, që mbizotërojnë për shumë njerëz në këto vende. Në rastin e minoritetit të romëve mund të themi se ata përballen me diskriminim strukturor në të gjithë Ballkanin (dhe në Evropë). Problemi kryesor është se BE dhe shtetet e tij anëtare nuk kanë politika të përshtatshme ndaj migrantëve. Vendet e BE kanë nevojë për migrantë, por ka kaq pak opsione për migrim legal nga shtete të treta, sa migrantët ekonomikë nga shtete të Ballkanit Perëndimor aplikojnë për azil si e vetmja mënyrë për të fituar një të drejtë për qendrim në shtete si Gjermania.
Prof. Dr. Ulf Brunnbauer është zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve të Evropës Lindore dhe Juglindore dhe profesor i historisë së Evropës Juglindore dhe Lindore në Universitetin e Regensburgut në Gjermani.