1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270910 EU Afrika Partnerschaft

28 Shtator 2010

Një konferencë e rangut të lartë me titullin "Partneritet me Afrikën" ka hapur në Bruksel horizonte të reja për bashkëpunimin mes BE-së dhe Afrikës por edhe brenda vetë Afrikës.

Pamje simbolike: interesat evropiane në Afrikë.
Pamje simbolike: interesat evropiane në Afrikë.Fotografi: Montage DW / AP

Kohët e fundit flitet shumë për një lloj lodhjeje të donatorëve. Objektivi i OKB-së për të dhënë të paktën 0,7 për qind të produktit social bruto për ndihmën për zhvillim, arrihet nga një numër shumë i vogël vendesh të industrializuara. Kjo argumentohet shpesh me situatat e tendosura të buxheteve në këto vende, por edhe me zhgënjimin e tyre: edhe pas dekadash të tëra ndihme për zhvillim, varfëria në vendet përfituese të ndihmës nuk është zhdukur.

Ndihma financiare nuk mjafton

Komisioneri i BE-së për zhvillimin Andris Piebalg e konfirmon këtë:

Komisioneri i BE-së Andris Piebalgs.Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Vetëm ndihma nuk mjafton, nëse nuk merremi me rrënjët e problemit. Pa shtet juridik, siguri dhe financa të shëndosha publike ndihma për zhvillim asnjëherë nuk do të mund t'u japë njerëzve një të ardhme afatgjatë."

Pa paqe nuk ka mirëqënie

Ndërkohë Afrika gjatë viteve të fundit ka shënuar një rritje ekonomike mbresëlënëse. Kjo u jep shpresë shumë vendeve afrikane, se mund të çlirohen vetë nga varësia dhe varfëria. Por Mark Plant nga Fondi për Ushqimin në Botë thekson: kjo nuk vlen për të gjitha vendet afrikane.

"Vendet të cilat kanë përfituar nga kjo rritje ekonomike kanë arritur paqe qoftë brenda kufijve, qoftë me fqinjët e tyre. Për këtë arsye detyrë parësore e organizatave ndërkombëtare duhet të jetë të punojnë për zgjidhjen e konflikteve, të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme në kontinent."

Bashkëpunimi mes vendeve afrikane vendimtar për arritjen e mirëqënies

Por vetëm paqja nuk është garanci për mirëqënie. Maxwell Mkwezalamba është komisioner për ekonominë në Unionin Afrikan. Lidhja e shteteve synon të arrijë një bashkëpunim më të ngushtë mes anëtarëve të saj, ashtu si në BE. Por Afrika është ende shumë larg një tregu të brendshëm si ai evropian, ankohet Mkwezalamba:

"Unë jam i bindur se mirëqënia e ardhshme e Afrikës do të varet në masë të madhe nga bashkëpunimi i vendeve afrikane me njëri-tjetrin dhe me vendet e treta."

Lojtarët e rinj në Afrikë: Kina, India, Brazili

Konkurrencë për evropianët - Presidenti brazilian Lula në Afrikë (Korrik 2010).Fotografi: Ricardo Stuckert

Më parë evropianët si ish-fuqi kolonialiste ishin interlokutorët e vetëm të vërtetë në Afrikë. Por sot Evropa konkurron me Kinën, Indinë apo Brazilin për lëndët e para afrikane dhe porositë. Andreas Proksch, drejtor i GTZ-së (Shoqata gjermane për Bashkëpunim Teknik) e njeh mirë situatën:

"Evropa është duke humbur pozicionin e saj të privilegjuar. Sot Afrika ka mundësi të zgjedhë dhe unë besoj se kjo do të ndryshojë edhe sjelljen tonë ndaj kontinentit afrikan."

Të gjithë oratorët në konferencë ishin të një mendimi se marrëdhëniet mes Evropës dhe Afrikës po ndryshojnë rrënjësisht. Afrika do të jetë më e sigurtë në vetvete dhe ka shansin të çlirohet vetë nga varfëria. Kështu për herë të parë që nga pavarësia do të jetë ndoshta i mundur një raport i vërtetë partneriteti mes të barabartësh.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi