1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëdhëniet dypalëshe BE - Shqipëri, së shpejti në rendin e ditës në Bruksel

Viron Gjymshana17 Mars 2006

Një delegacion i nivelit të lartë i Bashkimit Europian do të takohet të martën në Bruksel me ministrin e jashtëm shqiptar, Besnik Mustafajn

Bashkimi Evropian, Bruksel
Bashkimi Evropian, BrukselFotografi: AP

Dihet që deklaratat e ministrit të jashtëm shqiptar, se në rast të ndarjes së Kosovës, Shqipëria nuk mund të garantojë mosndryshim kufijsh në Ballkan, nuk u pritën aspak mirë në Bruksel. Kristina Gallak, zëdhënësja e shefit të diplomacisë europiane, Havier Solanës, madje u detyrua të prononcohej për këtë deklaratë edhe në disa media serbe dhe shqiptare. Ajo nënvizoi se nuk do të ketë më ndryshime kufijsh në Ballkan pas përcaktimit të statusit të Kosovës si dhe referendumit në Mal të Zi.

Dhe megjithëse nuk dihet nëse kjo deklaratë ka qënë diçka spontane apo e përgatitur, duket se jo gjithçka do të mbyllet me kaq. Aq më shumë që Besnik Mustafaj do të udhëheqë të martën delegacionin qeveritar shqiptar që pritet të zhvillojë në Bruksel një takim me një Treshe të lartë europiane të përbërë nga përfaqësuesi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solana, komisioneri i i BE-së për zgjerimin Olli Rehn si dhe nga presidentja e radhës e Bashkimit Europian, ministrja e jashtme austriake Ursula Plashnik.

Nuk ka asnjë dyshim se ministri i jashtëm shqiptar në një farë mënyre do t'i duhet të japë llogari për deklaratën e tij për ndryshimin apo mosndryshimin e kufijve në Ballkan. Për më shumë atij do t'i duhet të përgjigjet edhe për gjëra, për të cilat ai nuk është përgjegjës, siç është psh. problemi i krijuar në parlamentin shqiptar të krijuara si pasojë e refuzimit të votimit në kuti të fshehtë.

Që këto çështje do të diskutohen me qeveritarët shqiptarë në Bruksel kjo u bë e ditur sot zyrtarisht edhe nga përfaqësuesi i presidencës së Bashkimit Europian, ambasadori austriak Gregor Woschnagg. "Me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare do të bisedojmë për të gjitha problemet e brendshme në vend, për situatën në rajon dhe ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe" - theksoi Voschnagg kur u pyet pikërisht për çështjen e krizës në Kuvendin e Shqipërisë.

Prandaj nuk është shumë e vështirë tani të kuptosh se vizita e pritshme ministrit të jashtëm shqiptar të martën e ardhshme në Bruksel nuk do të jetë dhe aq e lehtë.

Dhe këto probleme lindën pikërisht tani, kur Shqipëria mezi përfundoi negociatat për marrëveshjen e asocim-stabilitetit me BE-në.