1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, Irani dhe Kosova në qendër të bisedimeve gjermano-ruse

15 Tetor 2007

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin drejtojnë sot në Vizbaden konsultimet qeveritare gjermano-ruse. Putin shoqërohet nga 12 ministra të kabinetit qeveritar rus të cilët do të takohen me homologët e tyre gjermanë. Në qendër të konsultimeve janë marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, sistemi i SHBA për mbrojtjen antiraketore në Europën Lindore dhe raporti i Rusisë me Bashkimin Europian. Ndër të tjera pritet të diskutohet edhe mbi çështjen e Kosovës dhe konfliktin rreth programit bërthamor të Iranit. Merkel dhe Putin do të informohen edhe mbi rezultatet e të ashtuquajturit "Dialog të Peterburgut". Forumi i drejtuar nga ish presidenti rus Mihail Gorbaçov dhe ish kryeministri i RDGj-së Lothar de Maiziere zhvillon qysh nga dita e shtunë punimet në Vizbaden. Më parë në kuadër të takimit të forumit "Dialogu i Peterburgut" politikanë gjermanë shprehën shqetësim për mangësi në shtetin ligjor në Rusi. Claudia Roth kryetare e Partisë Ekologjiste gjermane u shpreh: "Rusia ndodhet në prag të zgjedhjeve presidenciale. Nëse në një vend nuk janë të lejuara liria e mendimit, apo pjesëmarrja e partive në zgjedhje atëherë nuk mund të flitet aspak për zgjedhje të ndershme dhe të drejta." Putin niset sot pasdite për një vizitë në Iran.