1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220211 EU Israel

23 Shkurt 2011

Përmbysjet në botën arabe mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në Lindjen e Mesme dhe Izrael. Ministri i Jashtëm izraelit Lieberman qëndron për bisedime në Bruksel.

Sa i rrezikuar është Izraeli nga trazirat në Libi?Fotografi: picture alliance/dpa

Izraeli druhet se në vend të demokracisë në rajon mund të fitojnë ndikim regjimet islamike. Arsye e mjaftueshme kjo për ministrin e Jashtëm izraelit Avigdor Lieberman për të biseduar me homologët e tij në BE. Lieberman u takua të martën (22.2.) në Bruksel me ministrin e Jashtëm hungarez Janos Martonyi për presidencën e Këshillit të BE dhe me Stefan Füle, i cili si komisioner evropian për politikën rajonale është përgjegjës edhe për marrëdhëniet me Izraelin.

Lieberman: Trazirat nuk kanë të bëjnë me bllokimin e procesit të paqes

Ministri Jashtëm izraelit LiebermanFotografi: AP

„Çlironi Palestinën, Izraeli është një shtet aparteidi!“ Me këto thirrje u prit ministri i Jashtëm izraelit Avigdor Lieberman në sallën e shtypit para se forcat e sigurimit të merrnin me vete personin, që thërriste. Por edhe më vonë atmosfera mbeti e tensionuar. Për presidencën hungareze të BE ministri i Jashtëm Janos Martonyi bëri një lidhje ndërmjet kryengritjeve në botën arabe dhe procesit të paqes në Lindjen e Mesme: „Ndryshimet dramatike dhe destabilizimi rajonal, si rezultat i tyre, i bën më të rëndësishmëm dhe më urgjentë se kurrë përparimet në procesin e paqes. Ne të gjithë duhet ta kuptojmë se koha nuk pret.“

Lieberman mohoi megjithatë se revolucionet nuk kanë të bëjnë me bllokimin e procesit të paqes, por me varfërinë dhe mjerimin në vetë vendet arabe. Izraeli është megjithatë gjithmonë i gatshëm të bisedojë me palestinezët, ai dëshiron që BE të përpiqet të ulë palestinezët në tryezën e bisedimeve. Fundja në të gjithë rajonin BE mund të mbështetet vetëm te Izraeli, tha Liebermann. „Izraeli është partneri i vetëm strategjik i BE në rajonin tonë, sepse bashkëpunimi ynë nuk është i bazuar vetëm në interesat e përbashkëta ekonomike dhe të sigurisë, por edhe në vlerat e përbashkëta. Ne kemi të njëjtat pikëpamje dhe vlera. Kjo është baza e marrëdhënieve tona të ngushta."

BE i cek me shumë kujdes problemet

Demonstrues të Hisbollahut dhe Hamasit në BejrutFotografi: picture alliance / dpa

Përfaqësuesit evropianë duhet ta kenë ndjerë vetën pak të influencuar, sepse ka diferenca të rëndësishme me Izraelin, sidomos në çështjen e ndërtimit të ngulimeve. Por nuk pati një herë kundërshtim. Komisioneri i BE Stefan Füle, që është përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe marrëdhëniet me Izraelin i ceku në mënyrë shumë të kujdesshme problemet. „Ne biseduam për zhvillimet e brendshme, për të drejtat e njeriut, si për mbrojtjen e popullit palestinez, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe për të drejtat e fëmijëve. Mbi të gjitha shpresojmë për progres në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të minoritetit arab.“

Izraeli ndjehet i kritikuar padrejtësisht

Ishte pastaj një gazetar, që e akuzoi Izraelin se mban të pushtuar në mënyrë të paligjshme tokë palestineze Lieberman tha: „Izraeli është tërhequr deri në milimetrin e fundit nga Libani i Jugut. Si rezultat ne nuk kemi paqe dhe siguri, por që Hisbollahu rri tani në jug të Libanit. E njëjta gjë thuhet për Rripin e Gazës. Ne kemi shpërngulur më shumë se 10.000 hebrej që andej dhe si rezultat Hamasi ka pushtetin tani atje dhe që atëherë jemi qëlluar me më shumë se 12.000 raketa.“

Lieberman u tregua i qetë në lidhje me trazirat përreth vendit të tij. Izraeli është i gatshëm, për të bashkëpunuar me çdo vend dhe qeveri të rajonit. Por Izraeli shpreson, që vendet do t'u përmbahen marrëveshjeve të arritura. Fjala është në rradhë të parë për marrëveshjen e paqes me Egjiptin.

Autor: Christop Hasselbach/Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani