1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stichwort Anwerbeabkommen

24 Tetor 2011

50 vjet më parë Gjermania dhe Turqia nënshkruan një kontratë e cila do i mundësonte punëmarrësve turq të punonin në Gjermani. Shumë prej tyre erdhën në Gjermani si gastarbeiter (punëtorë të ftuar), dhe qëndruan këtu.

50 vjet më parë Gjermania dhe Turqia nënshkruan kontratën e punësimit
50 vjet më parë Gjermania dhe Turqia nënshkruan kontratën e punësimitFotografi: picture-alliance/Beynelmilel

Turq të rinj, të pamartuar duhej të vinin në Gjermani për të punuar. Turqia ndihmoi në ndërmjetësimin e këtij krahu pune. Një marrëveshje mes dy vendeve krijoi bazën për ardhjen në Gjermani të emigrantëve - bileta e udhëtimit dhe ushqimi ishin të paguara.

Ndërsa bileta e kthimit nuk paguhet patjetër nga punëdhënësi gjerman. Kështu thuhet në "Rregulloren për ndërmjetësimin e punëtorëve turq në Republikën Federale Gjermane".

E ashtuquajtura "Marrëveshje për përftimin e fuqisë punëtore" mes Gjermanisë dhe Turqisë u nënshkrua në Gjermani më 30. Tetor 1961 në Bon.

Të reja turke vijnë në Gjermani për të punuar, 1966Fotografi: Filiz Taskin

Punëtorë për mrekullinë ekonomike gjermane

Më parë ishin nënshkruar marrëveshe të tilla për krah pune edhe me Italinë (1955), Spanjën (1960). Pas Turqisë u nënshkruan marrëveshje me Marokun, Portugalinë, Tunizinë dhe Jugosllavinë e atëhershme. Gjermania kishte nevojë në kohën e bumit ekonomik për fuqi punëtore. Pas Luftës së II Botërore, në Gjermaninë Perëndimore prodhimi u rrit aq shumë, saqë në fabrikat dhe minierat gjermane kishte më shumë punë se sa punëtorë.

Sipas marrëveshjes për fuqinë punëtore, Republika Federale me mbështetjen e autoriteteve turke në Stamboll lejohej të hapte një "qendër ndërlidhëse", pra një lloj zyre të jashtme të agjencisë gjermane për punën. Punëdhënësit nga Gjermania mund t'ia nisnin direkt kësaj qendre nevojën e tyre për krah pune. Aplikimet i pranonte fillimisht agjencia turke e punës, ajo bënte një lloj përzgjedhjeje dhe organizonte intervistën e aplikantëve në qendrën gjermane.

Të reja turke vijnë në Gjermani për të punuar, 1966Fotografi: Filiz Taskin

Vetë Turqia kishte avantazhe nga dërgimi i një fuqie kaq të madhe punëtore në Gjermani. Punëtorët meshkuj paguheshin mirë dhe i dërgonin paratë në shumicën e rasteve familjeve të tyre në vendlindje. Nga ana tjetër punëtorët kualifikoheshin më tej përmes punës në Gjermani, më shpresën se më vonë këtë dije ata do ta vinin në jetë në Turqi.

Imigrimi nuk ishte i dëshiruar

Angazhimi i fuqisë punëtore turke ishte planifikuar të ishte i kufizuar në kohë, prandaj punëtorët e ardhur nga Italia, Greqia, Spanja quheshin "punëtorë miq". Pas dy vitesh ata do të ktheheshin në vendlindje. Pas tyre do të vinin punëtorë të tjerë. Në Gjermani synohej të pengohej një valë imigrimi e fuqisë punëtore.

Në një ripunim të marrëveshjes për krahun e punës me Turqinë në vitin 1964, me dëshirën e punëdhënësve gjermane, u ndryshua afati kohor prej dy vjetësh për secilin "mik". Ishte e shtrenjtë dhe e lidhur me shumë punë organizative sjellja e vazhdueshme e punëtorëve të rinj në Gjermani. Më vonë punëtorët miq u lejuan të merrnin edhe familjet e tyre në Gjermani.

Punonjës turk në uzinën e BMW-sëFotografi: picture alliance/dpa

Ndalohet marrëveshja e fuqisë punëtore për shkak të krizës ekonomike

Bumi ekonomik në Gjermani ra pas krizës botërore të naftës, që solli edhe një krizë ekonomike në fillim të viteve 70-ë. Në vitin 1973 u shfuqizua marrëveshja për marrjen e krahut të punës nga jashtë. Nga viti 1961 deri në vitin 1973 rreth 2,7 milionë turq kishin aplikuar për një vend pune në Gjermani, por në Gjermani erdhën vetëm 750.000 vetë. Sipas llogaritjeve, rreth gjysma e këtij krahu pune u kthye në Turqi. Gjysma tjetër mbeti në Gjermani.

2,5 milionë emigrantë turq

Sot jetojnë në Gjermani rreth 2,5 milionë banorë që kanë prejardhje turke, që do të thotë: ata ose prindërit e tyre kanë lindur në Turqi. Turqit përbëjnë grupin më të madh të emigrantëve në Gjermani. 700.000 turq kanë pashaportë gjermane, Ndryshe nga qytetarët e vendeve të tjera të BE-së, ata nuk lejohet të kenë shtetësinë e dyfishtë. Për ta është në fuqi zgjedhja me opcion. Po qe se kanë lindur në Gjermani dhe posedojnë të dyja shtetësitë, ata duhet që deri në moshën 23 vjeç të vendosin për njërën nga pashaportat, turke apo gjermane.

Punonjës nga Turqia punojnë në Fabrikën e Fordit në KëlnFotografi: picture alliance/dpa

Gjermania bëhet vend imigrimi

Megjithëse shumë punëtorë "miq" qëndruan në Gjermani, qoftë ata nga Turqia, qoftë nga vende të tjera, vetëm me ligjin e ri për shtetësinë në vitin 2000 dhe me ligjin për migracionin në vitin 2005, Gjermania u bë më në fund zyrtarisht një vend imigracioni.

Autor: Klaudia Prevezanos/Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama