1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marsh kundër krimit në Kosovë

Bekim Shehu4 Shtator 2007

Pas vrasjes së anëtarit të forcave elitë të SHPK-së, Triumf Rizës, qytetarët kosovarë shprehën sot protestën e tyre kundër bandave kriminale në Kosovë

Kosovo Pristina KFOR-Truppen
PrishtinaFotografi: DW/Sand

Mijëra qytetarë të Prishtinës dhe rretheve tjera marshuan rrugëve të kryeqytetit të Kosovës për të shprehur indinjatën e tyre ndaj krimit në Kosovë. Shkak për këtë marsh u bë vrasja katër ditë më
parë e një pjesëtari të forcave elitë të SHPK-së, Triumf Rizës. Ai u qëllua me pesë plumba prapa shpine. Tetë persona vazhdojnë të mbahen në arrest, në mesin e tyre edhe i dyshuari krysorë për vrasjen, konfirmojnë zyrtarë të SHPK-së. Triumf Riza, ishte 28 vjeçar, pjesëtar i forcave elite të SHPK-së, i njohur për punën
e tij në luftën kundër bandave kriminale.

Marshi kundër krimit me moton “Triumf gjithmonë me ty”, thuhet të jetë organizuar në mënyrë spontane nga qytetarët e Prishtinës të cilët kërkojnë nga organet e rendit, që të luftojnë me çdo mënyrë krimin dhe të eliminojnë bandat kriminale në kryeqytet.

Edhe krerët e institucioneve të Kosovës dhe ata të administratës ndërkombëtare janë solidarizuar me qytetarët e Prishtinës kundër krimit në Kosovë ndërsa, theksojnë se bashkëpunimi i qytetarëve me organet e rendit në dhënien e informacioneve mund të kontribuojë
shumë në parandalimin e krimit.

I pranishëm në marsh ishte edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku i cili u shpreh se forcat e rendit nuk do të zbrapsen në luftimin e krimit.
Vrasjet e shumta, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dukuritë negative që përfshinë vendin që nga përfundimi i luftës. Në këtë linjë një fushatë tjetër kundër korrupsionit është inicuar nga
Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit, ku sipas zyrtarëve të kësaj agjencie janë qytetarët e Kosovës ata që mund ta luftojnë këtë fenomen, i cilësuar si kanceri i shoqërisë.

Në një statistikë të agjencisë kosovare thuhet se korrupsioni ka shtrirje më të madhe në qeverinë e Kosovës, në pushtetin lokal, në ndërmarrjet publike dhe në gjyqësorin kosovar. Nëse një shtet ka korrupsion, ai vend do të jetë i varfër dhe i pazhvilluar, paralajmërojnë autoritetet ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës nëse korrupsioni shtrihet dhe mbetet në Kosovë, atëherë statusi final i tij do të jetë varfëria, padrejtësia sociale dhe zhvillimi i ulët ekonomik gjendje kjo, e cila për qytetarët e Kosovës është e papranueshme.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW