Me vetëbesim dhe zell për të diskutuar
17 Janar 2012Socialdemokrati Martin Schulz u zgjodh sot kryetar i ri i Parlamentit Evropian. Udhëheqësi i deritanishëm i grupit parlamentar socialdemokrat fitoi 387 nga 699 votat e Parlamentit. 56 vjeçari Martin Schulz u zgjodh si pasardhës i konservatorit nga Polonia Jerzy Buzek dhe do të jetë në këtë post dy vjet e gjysmë. Posti i presidentit të Parlamentit Evropian tradicionalisht ndahet mes konservatorëve dhe socialdemokratëve. Schulz është anëtar i këtij Parlamenti prej vitit 1994 dhe aktualisht drejton grupin parlamentar të socialdemokratëve. Pak pas zgjedhjes në postin e kryetarit të Parlamentit Evropian ai tha se qëllimi i tij kryesor është forcimi i këtij institucioni. "Zgjedhja në postin e kryetarit të Parlamentit Evropian në këto kohë krize është për mua një nder dhe shans i madh", deklaroi Schultz. Ai shtoi se do të angazhohet që kryetari i PE-së të marrë pjesë në të ardhmen edhe në samitet kushtuar krizës së euros.
Brendapërbrenda Parlamentit kryetari ka kryesinë e mbledhjeve plenare. Ai nënshkruan së bashku me kryetarin e Këshillit Evropian aktet juridike të Bashkimit Evropian. Kryetari mbështetet prej presidiumit, në gjuhën e folur i njohur edhe si zyrë. Presidiumi përgjigjet për administrimin e buxhetit të parlamentit. Bashkë me kryetarët e gjashtë fraksioneve të tjera të parlamentit kryetari i Parlamentit Evropian harton rendin e ditës së mbledhjeve. "Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së i zgjedhur drejtpërdrejt. Prej kësaj unë derivoj një përgjegjësi të plotë për politikën në BE (edhe për fushat që i pretendojnë për vete kryetarët e qeverive)", tha Schulz së fundi në një intervistë për shtypin.
Autor: Bahri Cani / Elert Ajazaj
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora