1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masakra në Belgjikë: motivet të paqarta

Bernd Riegert/ Auron Dodi26 Maj 2014

Atentatori, i cili vrau tre njerëz në Muzeun Hebre, ndodhet në arrati. Por kjo situatë nuk bën që belgët të humbasin qetësinë. Aktualisht, për motivet e aktit nuk ka përfundime të reja, vetëm spekulime.

Fotografi: Thierry Roge/AFP/Getty Images

Në Belgjikë, shkëlqente dielli në ditën e votimeve të mëdha. Kohë vere. Qiell blu. Kjo nuk ishte shumë në përputhje me gjendjen shpirtërore të njerëzve, pas atentatit në Muzeun Hebre në Bruksel, tha kryeministri belg, Elio di Rupo, duke hedhur votën në Bergen. "Një ditë me shkëlqim për demokracinë, por një ditë e errët për gjendjen tonë shpirtërore, po të kemi parasysh atë që ndodhi. Në Belgjikë ne nuk jemi të përgatitur për gjëra të tilla. Shpresoj që policia ta kapë dorasin sa më shpejt që të jetë e mundur."

Në Bruksel vazhdon të jetë e bllokuar vetëm një pjesë e rrugës së vogël, ku ndodhet Muzeu Hebre. Në Sheshin Sablon që ndodhet pranë, kafenetë dhe restorantet janë hapur si më parë. Qyteti është plot me njerëz - me turistë dhe me zgjedhës. Sepse në Belgjikë ekzistonte detyrimi për të votuar për zgjedhjet për Evropën, për zgjedhjet nacionale dhe rajonale parlamentare, të cilat u zhvilluan paralelisht të dielën. Rreziku që mund të buronte nga dorasi i armatosur, që ndodhet ende në arrati nuk i ndaloi njerëzit që të shkonin sipas planit në zgjedhje.

Zgjedhjet kaluan të qeta

Edhe menjëherë pas atentatit të shtunën, te kalimtarët vëreheshin pak gjurmë të ngjarjes. Festat me muzikë në qytet vazhdonin si më parë. Në mbrëmje të rinj festonin si gjithmonë në të gjithë pjesën historike të qytetit. Policia e kishte të vështirë që të frenonte grupe të mëdha personash që donin të hidhnin patjetër një sy në vendin e ngjarjes, të cilin e kishin rrethuar me gardhe plastike dhe automjete të policisë. "Ne në fillim as e kuptuam se atje po ndodhte diçka", i tha një pronare lokali gazetës belge "Le Soir". "Muzika e xhazit ishte kaq e lartë, sa askush nuk qe në gjendje t'i dëgjonte të shtënat". Në komentin e saj, kryeredaktorja e gazetës "Le Soir" informonte vërtet se Belgjika është e shokuar, por zia zyrtare ishte e kufizuar. Në Pallatin Mbretëror, i cili ndodhet vetëm 500 metra larg vendit të ngjarjes, flamujt nuk qenë në gjysmë shtizë. Masat e sigurisë para sinagogave dhe institucioneve hebreje në Bruksel dhe në Antwerpen u ashpërsuan, bëri të ditur policia.

Motivet e atentatorit në arrati të paqarta

Prokuroria e Brukselit bëri të ditur në një konferencë të improvizuar shtypi paradite, që atentatori që vrau dy izraelitë dhe një francez, ndodhet ende në arrati. Të gjithë natën, hetuesit analizuan pamjet e kamerave të vëzhgimit në Muzeun Hebre dhe regjistrime të kamerave të tjera pranë. "Nga kjo ne nxjerrim përfundimin se dorasi ka vepruar i vetëm, ka qenë i përgatitur mirë dhe ishte i armatosur. Aktualisht ne po kërkojmë në mënyrë aktive dorasin. Prandaj i bëjmë thirrje popullit që të japë ndihmë për ta identifikuar dorasin", tha një zëdhënëse e Prokurorisë në Pallatin e Drejtësisë jo larg vendit të ngjarjes. Në mesditë në internet u nxorr një fotografi e personit të dyshuar, i cili ende i armatosur mund të ndodhet diku në Belgjikë ose në ndonjë vend fqinjë.

Hetuesit nuk mundën të konfirmonin se bëhej fjalë për një atentat terrorist, antisemit, ekstremist të djathtë ose islamist. Motivet e dorasit janë krejtësisht të paqarta. Organizatat hebreje në Belgjikë dhe kryeministri i Izraelit folën për një atentat terrorist.

Një person i dytë, që u arrestua menjëherë pas aktit të përgjakshëm ndodhet si "dëshmitar" edhe më tej në hetuesi. Personi i katërt që u plagos në atentat është gjallë, por në një gjendje shumë kritike, bënë të ditur autoritetet. Mediat belge patën njoftuar për vdekjen e shtetasit belg, që punonte në Muze.