1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masat e kursimit të kontestuara

9 Shkurt 2012

Në krizën greke të borxheve nuk duket ende asnjë zgjidhje në horizont: pika kryesore e polemikës, shkurtimet e pensioneve, nuk është zgjidhur në negociatat mes partive në qeveri.

Fotografi: Reuters

Gati tetë orë zgjatën negociatat për paketën e re të kursimeve mes kryeministrit grek Lucas Papademos dhe kryetarëve të partive në koalicionin e tij qeverisës. Një marrëveshje përfundimtare megjithatë nuk u arrit. Disa orë pas mesnatës Papademos deklaroi se ka një konsensus të gjerë për të gjitha pikat e programit, me një përjashtim.

Pensionet molla e sherrit

Fjala është për shkurtimet e planifikuara të kursimeve. Kryetari i partisë Nea Demokratia, Antonis Samaras, kishte deklaruar paraprakisht se do të luftonte për pensionet. Ngjashëm ishin shprehur edhe kryetari i partisë së djathtë Laos, Jorgos Karaxhaferis. Së bashku me Pasokun socialdemokrat ata formojnë koalicionin qeveritar në Greqi.

Në foto, Antonis SamarasFotografi: dapd

Grekët gjenden në prag të dëshpërimit për shkak të shkurtimeve të reja në paga. "Është një vdekje e ngadaltë, vërtet për t'u dëshpëruar. Kur hedh sytë përreth sheh vetëm rrënim. Askund nuk sheh optimizëm, vetëm luftë për mbijetesën e përditshme", - thotë një qytetar grek.

"A ka dritë në fund të tunelit dhe ne nuk e dimë? Kush di të llogarisë sheh se po shkojmë drejt rrënimit. Katastrofa ka ndodhur, vetëm nuk pranohet zyrtarisht", - shprehet një tjetër.

Shkurtime në sektorin publik dhe ulje pagash

Kryeministri grek Papademos nuk ka bërë të ditura detaje të paketës së planifikuar të kursimeve. Sipas informacioneve të gazetave greke, paga minimale në Greqi do të ulet nga 750 euro në muaj në 590 euro, pra me 20 për qind. Po kaq duhet të ulen pagat edhe në ekonominë private dhe do të ngrijnë në këtë nivel për vite me radhë. Veç kësaj këtë vit do të shkurtohen 15.000 vende pune në sektorin publik, vitin e ardhshëm edhe 100.000 të tjera.

Projekti për paketën e kursimeve parashikon edhe shkurtime të mëtejshme të pensioneve. Kush merr pension nga bankat, shoqëritë e telefonit apo të energjisë duhet të pranojë një shkurtim prej 15 për qind, pasi këto pensione konsiderohen më të larta se të tjerat. Por kjo masë është e kontestuar.

Pamje ilustrueseFotografi: dapd

Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos u nis në orët e para të së enjtes (9.2.) për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në një takim të ministrave të financave të Eurozonës. Ai shpreson se BE do të japë atje dritën e gjelbër për kreditë e reja të ndihmës për Greqinë. Pa këto kredi vendi muajin e ardhshëm praktikisht mund të falimentojë.

Autor: Thomas Bormann / E. Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti