1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masat për të ndaluar gripin të hyjë në Shqipëri

13 Shkurt 2006

Në pikëkalimet kufitare jugore përforcohen masat e karentinës ndaj shpendëve e produkteve të tyre si dhe ngrihen posta karantinore në të gjithë gjatësinë e vijës kufitare

Gripi i shpendëve prek Greqinë
Gripi i shpendëve prek GreqinëFotografi: AP

Shpendët shtegëtarë rrezikojnë përhapjen e virusit H5N1, virusi vdekjeprurës edhe në Shqipëri. Konfirmimi i pranisë së këtij virusi në vendet fqinje Itali, Bullgari, Maqedoni e së fundmi edhe në Greqi rrezikon seriozisht përhapjen e tij edhe në Shqipëri përmes shpendëve shtegëtarë dhe pikëkalimeve kufitare. Ky realitet i ka vënë në alarm drejtuesit e ministrisë së bujqësisë e ushqimit, drejtoritë rajonale e pikëkalimet kufitare.

Në të gjithë pikëkalimet kufitare me vendet e prekura nga ky virus, sidomos ato në jug të vendit, është vendosur karantina, duke mos lejuar importet e shpendëve dhe të produkteve të tyre.

Ndërkaq sipas drejtorisë rajonale të bujqësisë e ushqimit në Gjirokastër janë ngritur postat karantinore në të gjithë gjatësinë e vijës kufitare të Shqipërisë me Greqinë për të mos lejuar hyrjen e shpendëve të infektuar me virusin vdekjeprurës.

Bekim Sinani, drejtor në këtë drejtori pohon se në të tre pikëkalimet kufitare në Kakavijë, Kapshticë dhe Tre urat Përmet, janë vendosur ekipe ekspertësh që kontrollojnë e verifikojnë të shenjat apo problemet sanitare që mund të shfaqen, sikundër janë ngritur edhe ekipet e verifikimit në terren të të gjithë rasteve të mundshme të shfaqjes së këtij virusi. Të gjitha postat karentinore sipas drejtorit Sinani janë të pajisura edhe me mjetet e dezinfektimit si dhe me medikamentin Tamiflu, që shërben për mbrojtjen nga ky virus.

Të gjitha institucionet e postat karentinore në gjatësinë e vijës kufitare e në këto pikëkalime mbajnë lidhje direkte me Institutin e shëndetit publik, me QSU të Tiranës si dhe me ministritë përkatëse për çdo rast që mund të shfaqen shenjat e virusit. Masat e marra po aplikohen rreptësisht edhe në pularitë vendore, përmes kontrolleve rigoroze e të verifikuara.